Ministry of Education and Sports

Diplomat shqiptare do të kenë edhe më shumë vlerë. 35 universitete akreditohen institucionalisht, gjatë 2018 fillojmë akreditimin e programeve.

35 universitete kanë marrë akreditimin pas inspektimit nga Agjencia Britanike dhe ekspertët shqiptarë. Pas përfundimit të këtyre raporteve ka qenë bordi i akreditimit që ka vendosur afatet e akreditimit për të gjitha universitete duke lenë edhe rekomandimet konkrete për tu plotësuar me një afat të caktuar. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla pasi përshëndeti punën e bërë, deklaroi se ky është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare i cili do të vazhdojë edhe më tej gjatë vitit 2018, ku do të vijojë akreditimi i programeve të studimit i cili do të rrisë vlerën e diplomave të studentëve shqiptarë dhe do të sigurojë më shumë punësim.

"Faleminderit Bordit të Akreditimit, gjithë ekspertizës që ndenjën mënjanë në kuptimin pozitiv të fjalës edhe kur Qeveria Shqiptare apo kur Ministria e Arsimit, apo  ministrja e Arsimit goditet pa drejtësisht për ndërhyrje politike në këtë proces. Edhe juve ju përgjigjet me qetësi pa u përfshirë ne debat të pa vërtetash, në një debat politik pa vlerë dhe që nuk bënte asgjë të mundur për shëndoshjen e këtij procesi. Mendoj që jemi në momentin e duhur pas këtij verifikimi serioz për të vijuar më pas me atë që korrigjon çfarë thamë me akreditimin e programeve, por ne, dhe kur them ne kam parasysh gjithë Ministrinë e Arsimit, do të vijojmë me detyrën tonë, duke proceduar me premtimin e radhës për verifikimin e kritereve ligjore apo siç e themi ne VKL 2, në mënyrë që të gjitha këto të jenë procese zinxhir për të bërë të duhur atë që është gjithë prioriteti ynë, shëndoshjen e institucioneve, cilësi të diplomave të krahasueshme te Shqipërisë me ato të vendeve më të mira, por patjetër për t’i lidhur në mënyrë integrale me tregun e punës dhe për të bërë të mundur zhvillimin e shoqërisë shqiptare duke i injektuar në të gjitha degët e zhvillimit kombëtar." – tha znj. Lindita Nikolla. 

Ministrja vlerësoi këtë punë rigoroze duke nënvizuar se politika i ka qëndruar dhe do ti qëndrojë larg proceseve dhe reformave që ndodhin në arsimin shqiptarë. Nikolla kërkoi edhe nga universitetet të bëjnë edhe ata detyrat e shtëpisë dhe të plotësojnë rekomandimet e lënë sa më parë. Ndërkohë gjatë këtij viti për studentët shqiptarë do të jetësohen biblioteka digjitale, aftësimi në gjuhët e huaja dhe orientimi i universiteteve drejt degëve prioritare me interes kombëtar.