Ministry of Education and Sports

Shqipëria dhe Kosova po avancojnë në projektin e përbashkët për mbështetjen ndaj diasporës duke shënuar dy arritje konkrete gjatë këtij viti, kurrikulën e përbashkët mes dy vendeve për diasporën dhe regjistrin e mësuesve.  Seminaret dhe trajnimet e mësuesve të diasporës janë kthyer në një traditë të përvitshme, ku këtë vit ka qenë Tirana mikpritësja e mbi 150 mësuesve shqiptarë. Seminari XIV “Për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë”, është një aktivitet i përbashkët i dy ministrive: Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, me synim aftësimin dhe kualifikimin e mësimdhënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe nxënies, si edhe promovimin e praktikave më të mira të mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe ministrja Lindita Nikolla e cila deklaroi se 2018 vjen me disa risi për mësuesit e diasporës duke forcuar rezultate e arritur dhe mbështetur në progresin e të nxënit të fëmijëve shqiptarë.

 

“Sivjet ne kemi disa risi të shtuara jo vetëm për faktin që kemi në Shqipëri edhe institucionin e Ministrit të Shtetit dedikuar Diasporës, por fakti që në një kohë të shkurtër së bashku me Pandeli Majkon, por edhe me Ministrin e Diasporës të Kosovës ne kemi mundur të finalizojmë më së fundi kurrikulën e përbashkët të Arsimit Plotësues në Diasporë. Ne kemi tashmë një kurrikul të njehsuar të mësimit në diasporë, që duket si një gjë tashmë e arrirë por nëse do të kujtojmë gjithë rrugën që kemi përshkuar ka qenë një proces ndërveprimi jo fortë i thjeshtë, për të bërë më të mirën e mundshme dhe për të servirur më të mirën e mundshme për gjithë ata që do të jenë pjesë e mësimit plotësues në diasporë.” – deklaroi Nikolla

 

Njohja dhe vlerësimi i arritjeve të nxënësve shqiptarë por edhe një numër i saktë i mësuesve që kemi në diasporë është një prioritet për Ministrinë e Arsimit, ndaj znj. Lindita Nikolla gjatë këtij seminari nënvizoi se progresi është i pandalshëm drejt më të mirës për mësuesit misionarë që përçojnë kulturën shqiptare në breza.

 

“Por ndryshe nga një vit më parë, tashmë është një realitet, sepse në ndryshimet që ne adresuam në Ligjin e Arsimit Parauniversitar, kemi mundësuar që në ligj dhe më pas detyrim që buron prej ligjit, ne të kemi më në fund regjistrin e mësuesve të diasporës si edhe bëjmë të mundur hartimin e certifikatave për çdo fëmijë që ndjek mësimin e gjuhës shqipe në diasporë”. – shtoi Nikolla

 

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko diskutoi disa nga problematikat, arritjet por edhe risitë që po vendos në zbatim në disa ambasada shqiptare.

 

“Kemi filluar diskutimin për vendosjen e dy koordinatorëve për arsimin në dy shtete, Itali dhe Greqi por edhe në shtetet të tjera.  Koordinatorët do të jenë të atashuar në ambasadat tona dhe do të merren me çështjet e arsimit. Por gjithsesi jemi ende në fillim të diskutimit. Ne po përgatitemi për samitin e dytë të diasporës që do të mbahet më 26-28 Nentor në Shqipëri.”deklaroi Pandeli Majko

 

Këtë seminar e përshëndeti edhe ministri i Arsimit të Kosovës, Shyqiri Bytyqi i cili vlerësoi përpjekjet e përbashkëta për më të mirën e mërgimtarëve dhe fëmijëve të tyre në fushën e arsimit dhe kulturës shqiptare. Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i cilësoi mësuesit aleatët më të mirë në ndërtimin e gjeneratave të ardhshme të shqiptarëve të mirë dhe me energji ndërtuese. Seminari XIV “Për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë” do të vijojë deri më 3 Gusht me trajnime dhe diskutime konkrete të shqetësimeve dhe sfidave që përballen në vendet ku ushtrojnë misionin fisnik.