Ministry of Education and Sports

Mësuesit që japin lëndët e teknologjisë së informacionit dhe nxënësit e pasionuar pas teknologjisë do të kenë përveç librave të digjitalizuar nga kurrikula e re edhe një platformë online në shqip të dedikuar për ta. Teksa teknologjia përparon çdo ditë e më shumë, mësuesve u nevojiten trajnime për të marr njohuritë për zhvillimet e fundit teknologjike e më pas për t’ja u transmetuar nxënësve. Ndaj përgjatë këtij viti shkollor parashikohet të trajnohen 470 mësues që japin këtë lëndë, ndërkohë që nxënësit në këtë platformë kane video tutoriale dhe mundësi interaktiviteti për çdo informacion që ju duhet. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla duke theksuar se tregut i nevojiten njerëz të kualifikuar dhe me njohuri të shëndosha në këto fusha nënvizoi se lëndët e integruara të teknologjisë falë kurrikulës së re janë bërë pjesë e shkollës që në klasën e katërt.

 

“Kompetenca digjitale është sot kompetenca kyçe në të cilat edukohen dhe frymëzohen nxënësit në sistemin tonë arsimor parauniversitar. Për të cilët duhet thënë dhe duhet përshëndetur që, e gjithë reforma kurrikulare në të cilën është përfshirë sistemi ynë parauniversitar ka bërë të mundur një vizion të ri të shkollës për t’u larguar nga metodologjia e vjetër, thjesht dhe vetëm, e përsëritjes së informacionit, dhënies dhe marrjes së informacionit në një qasje krejt të re, se sa dhe si ne i përgatisim të rinjtë dhe të rejat me qëndrime, me aftësi me shprehi për ta përdorur këtë informacion nesër për t’u përballur me nevojat apo për të zgjidhur problemet e jetës.  Në këtë këndvështrim edhe kompetenca që lidhet me teknologjinë dhe informacionin ka bërë të mundur që të futet në pjesë të kurrikulës që në klasën e 4-ërt. Ndryshe nga më parë, që fillonte në klasën e mëvonshme të formimit në arsimin parauniversitar, pra fillonte në klasën e 7-të, me kurrikulën e re ajo fillon në klasën e katërt.

 

Për ministren e Arsimit kodimi dhe gjuha e programimit është e ardhmja,  ndaj është e vendosur që nxënësit shqiptarë të aftësohen që jo vetëm ta përdorin teknologjinë por edhe të krijojnë në dobi të shoqërisë.

 

“Është pikërisht momenti sot për t’i thënë gjithë nxënësve dhe nxënëseve shqiptarë, mësuesve po ashtu, është një mundësi e re për të kapur ritmin e kohës dhe për të mësuar që në klasën e 8-të dhe në gjithë vitet e mëpasshme të gjimnazit edhe konceptet e kodimit apo mësimin e gjuhës së kodimit. Por ne të gjithë e dimë se sa më shumë ne të japim mësim të rinjve dhe të rejave shqiptare që ta përdorin, jo thjesht të jenë përdorues të teknologjisë, por ti aftësojmë ata të krijojnë teknologji të reja, aq më shumë ata do të jenë të aftë për të ndryshuar Botën. Njëkohësisht e dimë që nxënësit janë hapa përpara mësuesve të tyre ndaj fondi Shqiptaro -Amerikano për Zhvillim, ky partneritet na ka mundësuar edhe një moment krejt të ri në mënyrë që kjo hapësirë e re në të cilën përfshihet sistemi ynë arsimor mos të gjejë të papërgatitur mësuesit, apo mësuesit të jenë hapa mbrapa në performimin e tyre gjatë zhvillimit të kësaj kompetence. Platforma e re, në gjuhën shqipe është një mundësi dhe një fillim shumë i mirë me të cilën mund të aksesojnë mësuesit, nxënësit e prindërit për të marrë shumë informacione mbi teknologjinë, për të marrë padyshim mësime mbi kodimin dhe gjithçka tjetër, është e nevojshme për t’i ndihmuar ata hap pas hapi në zhvillimin e kopetencave të tjera.”

 

I pranishëm në këtë lancim të portalit ishte edhe kreu i Fondit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff i cili është edhe mbështetësi i kësaj platforme online në ndihmë të sistemit parauniversitar shqiptar. Kjo platformë mund të aksesohet nga tabletët dhe telefonat, ku komunikimi online ka përparësi ashtu sikurse edhe testet interaktive për të kuptuar masën e njohurive të përftuara.