Ministry of Education and Sports

 

 

Përshëndetje të gjithëve!

Faleminderit për pjesëmarrjen por mbi të gjitha faleminderit për gjithë kontributin që Shqipëria ka dhënë falë edhe këtij partneriteti me UNESCO-n në këto 60-vite.

Në cilësinë e Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sportit padyshim dua të shpreh së pari mirënjohjen e thellë dhe të plotë për gjithçka është bërë në këto 60 vite, se në fakt studiuesit që vijnë i përkasin fushës së edukimit dhe shkencës, por nga ana tjetër çdo vlerë mbi bazën e cilës ngrihet i gjithë funksionimi i UNESCO-s, janë vlera që duhet ti edukojë dhe ti kultivojë sistemi arsimor. Ndaj në këtë këndvështrim ashtu sikurse e tha dhe drejtoresha, sot nuk është vetëm një ditë feste, një ditë ditëlindjeje e këtij bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO por mbi të gjitha është një ditë refleksioni do të thoja, për të parë se sa dhe si ky anëtarësim, ky bashkëpunim ka mundësuar progres në sistemin tonë arsimor dhe të shkencës.

Edukimi në fakt është në qendër të emrit të UNESCO-s. Ai renditet i pari në fushat që përbëjnë përmbajtjen e misionit dhe të veprimtarisë së kësaj organizate. Ndaj ndihem e nderuar të flas në emër të arsimit shqiptar, për të shprehur mirënjohjen e armatës së madhe të edukatorëve, për kontributin që UNESCO ka dhënë për arsimin shqiptar në vite e në dekada me radhë.
Prania dhe kontributi i UNESCO-s në Shqipëri, në fushën e edukimit e të kulturës është i shtrirë në kohë, është shumëplanësh dhe në nivele e fusha të ndryshme.

1. Së pari, UNESCO ka qenë e pranishme në Shqipëri përmes dokumenteve të saj strategjike e programatike në fushën e edukimit, të cilat kanë shërbyer për ne si udhërrëfyese dhe pika reference në gjithë ndërtimin e politikës arsimore. Përveç kësaj UNESCO është e pranishme me zyrat përfaqësuese dhe me bashkëpunime shumëplanëshe me institucionet e ndryshme, si dhe me projekte konkrete e afatgjata në fushën e edukimit ku unë, sërish dua të shpreh mirënjohjen e plotë dhe të thellë të gjithë studiuesve shqiptarë që sot janë këtu por edhe të tjerë që nuk ndodhen këtu, që kanë mundësuar jo vetëm një aset të vyer në fushën e trashëgimisë dhe kulturës për Shqipërinë por mbi të gjitha janë ata vetë dhe gjithë produkti i tyre një aset i vyer për sistemin tonë arsimor dhe të shkencës .

2.Së dyti, vlerësoj sot pa masë kontributin konkret të UNESCO-s  në nivel sistemi përmes pjesëmarrjes, siç e përmendi dhe drejtoresha, me një  ekspertizë, sugjerime dhe rekomandime në analizën e sistemit arsimor dhe në përpunimin e strategjive afatgjata të zhvillimit të këtij sistemi, për zhvillimin e politikave për arsimin  parauniversitar dhe atë profesional.

3.Dua të vë në dukje po ashtu kontributin e UNESCO-s, që kontributi i UNESCO-s ka qenë vendimtar, veçanërisht në vitet e para të demokracisë ku dhe reformat arsimore filluan me një periudhë, do thoja të vështirë, ku duhet të ndryshonte i tërë vizioni dhe fokusi në të cilën shkolla, mësuesit, nxënësit, prindërit operonin, që lidhen me edukimin për paqe, tolerancë e zgjidhje konflikti, me edukimin për të drejtat e njeriut, ashtu sikurse sot roli i saj është i qenësishëm në fushën e edukimit për qytetari globale, për zhvillim të qëndrueshëm dhe, në mënyrë të veçantë, në fushën e edukimit për mirëkuptimin ndërkulturor e ndërfetar dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm.

4. Kontribut të veçantë i UNESCO-s  që meriton të qëndrojë si pikë më vete në këtë mirënjohje është ai që UNESCO ka ofruar për Shqipërinë në fushën e shkencës, përmes 5 programeve të mëdha që janë: arsimi, kultura, shkencat natyrore, shkencat shoqërore dhe shkencat humane, të komunikimit dhe të informacionit. Ky kontribut dhe mbështetje përmblidhet në dy drejtime kryesore:

a. së pari, në mbështetjen e politikave në fushën e zhvillimit të shkencës në Shqipëri dhe

b. së dyti, në forcimin e kapaciteteve kërkimore në fushën e shkencave.

Kontributi shumëplanësh, në drejtimet, fushat dhe nivelet e mësipërme ka lënë gjurmët e tij në të gjithë dokumentacionin që lidhet me zhvillimin e arsimit dhe të shkencës në Shqipëri (në strategjitë tona kombëtare për arsimin dhe shkencën), me instrumentet  dhe institucionet që janë krijuar për të zbatuar këto strategji, si dhe, çka është më e rëndësishmja, në veprimtarinë konkrete mësimore e shkencore që zhvillohet në vend.

Prania në Shqipëri, në raste të ndryshme, e drejtuesve të UNESCO-s ka qenë një shprehje jo vetëm e mbështetjes institucionale ndaj Shqipërisë dhe arsimit shqiptar, por edhe shprehje e përkushtimit personal ndaj atij ideali që përbën boshtin e misionit të vetë organizatës.
Ndaj personalisht, jam mirënjohëse këtij kontributi dhe angazhimi për një qëllim të përbashkët që përkoi edhe me misionin dhe përgjegjësinë time në krye te Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit për të kërkuar nga përfaqësues të UNESCO-s, një monitorim përmes rishikimit politikës sonë të reformës në arsimin parauniversitar.

Ka qenë një kontribut shumë i vyer, duke çuar mbi 7-të delegacione në Shqipëri për të parë që gjithçka që ne proklamonim si reformë të ndërmarrë në sistemin arsimor në fushën kurrikulare, por jo vetëm, të kishte një vlerësim dhe në monitorim të jashtëm për të parë se sa dhe si kjo reformë i përgjigjej standardeve europiane e sigurisht të siguronte zhvillimin e qëndrueshëm 2030.

Unë jam jo vetëm mirënjohëse por do të thoja edhe patjetër krenare për të gjithë punën që profesionistët shqiptarë, duke komunikuar edhe me përfaqësuesit dhe ekspertët më të mirë që UNESCO dërgoi, arritën të përpunonin një raport të rishikimit të kësaj politike, por ajo që është shumë e rëndësishme, atë që vlerësoi ky raport, dhe që përfaqësuesit e lartë të UNESCO-s e thanë vitin e shkuar në një konferencë të mbajtur në Tiranë, zhvillimi dhe drejtimi i politikave arsimore dhe praktikave respektive realizohen në përputhje me programet ndërkombëtare, në veçanti me standardet arsimore të Bashkimit Europian 2020 dhe synimet për zhvillimin e qëndrueshëm 2030.

Pra, në këtë fazë të përpjekjeve tona për zbatimin e strategjisë kombëtare për zhvillim dhe integrim 2014-2020 dhe strategjisë sonë për zhvillim në arsimin parauniversitar 2014-2020 po mbështetemi pikërisht nga ky raport i përgatitur nga seksioni i politikës arsimore në UNESCO, që pasi ka përcaktuar se reforma jonë mbështetet fort në këto dy shtylla  të rëndësishme, padyshim fokusohet me theks të veçantë në përfshirjen e fëmijëve në shkolla, në cilësinë e arsimit që ata marrin në barazinë e mundësive për arsim dhe edukim dhe në efikasitetin e sistemit tonë arsimor parauniversitar. Duke u ndal posaçërisht në reformën kurrikulare, pra është një reformë e standardeve më të mira europiane, një reformë që bazohet mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, por që patjetër janë lënë shumë rekomandime në fazën e zbatimit që ajo të përmbushë tërësisht objektivat e veta. Në nivelin e përdorimit të TIK-ut në arsim jo vetëm nga nxënësit dhe studentët, por para së gjithësh nevojën që sistemi ynë arsimor ka për trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve, politika për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave dhe meqenëse jemi këtu unë dua edhe njëherë për opinionin e shëndoshë publik të them që gjithçka që ne kemi ndërmarrë në reformën në mësuesi dhe reformën në menaxhimin e shkollës, pra duke ofruar një institucion të ri si ai i “Shkollës së Drejtorëve”, janë pikërisht vijimi i punës së Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë shqiptare bazuar edhe mbi këto rekomandime të këtij raporti.

Kolegë të nderuar, të dashur të ftuar unë do doja të thoja edhe njëherë që kontributi dhe  bashkëpunimi që në kemi pasur, që është edhe më e rëndësishme se kaq, vullneti i shprehur dhe vizioni i kësaj qeverie për të mundësuar një histori të re për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, fëmijët shqiptarë, përmes një sistemi cilësor edukimi, i standardeve të krahasueshme europiane ka bërë që shkolla jonë, sot që flasim, sigurisht ka ende shumë për të përmirësuar dhe e rëndësishme është që ne po mbështetemi mbi dokumente partnerësh kaq të rëndësishëm strategjik, shkolla jonë është vendosur në  një kahje të re, punon në një vizion të ri që aftëson të njohësh, drejt shkollës që përgatit të veprosh siç duhet, kërkon ndërtimin dhe përdorimin nga nxënësit e njohurive  të reja dhe të kompetencave për jetën dhe punën në çdo nivel të sistemit tonë arsimor.

Besoj kjo është sfida  jonë kyçe jo vetëm e reformës kurrikulare por sfida jonë si shoqëri për të bërë të mundur zhvillimin e qëndrueshëm.

Ndaj edhe njëherë faleminderit të gjithë profesionistëve, ekspertëve, edukatorëve që po punojnë nën këto këndvështrime dhe nën këto vizione dhe sigurisht faleminderit edhe gjithë ekspertizës së vyer të UNESCO-s që në moment të caktuar ishin të gatshëm krah nesh jo vetëm për të monitoruar por edhe përmes këshillave dhe rekomandimeve tejet të vlefshme për përmbushjen e së cilave tërë sistemi ynë po punon.

Faleminderit dhe punë të mbarë.