Ministry of Education and Sports

 

“Ligji i Rinisë” nis rrugëtimin, takon të rinjtë në gjithë Shqipërinë

Të rinjtë e Shqipërisë për herë të parë do të kenë një ligj të dedikuar plotësisht për ta. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nëpërmjet Drejtorisë së Rinisë dhe zëvendësministrit Shpati Kolgega ka nisur një tur takimesh në të gjithë vendin me të rinjtë për të marr kontributin e tyre që ky ligj të jetë sa më gjithpërfshirës dhe me vlerë. Ministrja Lindita Nikolla përshëndeti nisjen e këtij rrugëtimi për draftin e rinisë i cili do të përshkojë kryq e tërthorë Shqipërinë për të takuar të rinjtë në 12 qarqe të vendit. Në çdo stacion mirëpriten qindra ide, për të udhëtuar të sigurtë drejt së ardhmes europiane që duam.
Një autobus me sloganin “1094 km drejt ligjit për rininë” u stacionua në takimin e parë në qytetin e Beratit ku të rinjtë e këtij qarku dhanë sygjerimet e tyre. Pjesa më e madhe e të pranishmëve kërkuan më shumë hapësira të sigurta, mbështetje financiare, aktivitete të organizuara në rang kombëtar e pjesëmarrje pranë institucioneve vendimmarrëse.
Ndërkohë, sot janë planifikuar dy takimet e radhës, në qytetin e Vlorës dhe atë të Fierit. Projektligji e përfundon rrugën e tij prej 1094 kilometrash më 22 nëntor në kryeqytet, nga ku pritet të finalizohet edhe drafti, që do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.
Kopja e plotë e dokumentit gjendet gjithashtu në faqen zyrtare të MASR, si dhe në atë të konsultimeve publike.

Një kontribut të rëndësishëm në këtë inciativë kanë dhënë dhe dy organizatat ndërkombëtare, UNFPA Albania dhe Olof Palme International, të cilat e kanë përkrahur qysh në hapat e para procesin.

Në ndihmë të gjithëpërfshirjes do të vijë edhe mekanizmi i UNICEF dedikuar kësaj grupmoshe, i quajtur U Report, përmes së cilit do të realizohen disa pyetësorë online. Kështu do të sigurohet që zëri i rinisë shqiptare do të jetë vendimtar, në çdo rresht të shkruar të ligjit të tyre, prej vetë atyre.