Ministry of Education and Sports

Sot u zhvillua ceremonia e “Programit Kombëtar të Praktikave të Punës”, program tashmë i konsoliduar dhe në vitin e tij të 4-rt, i cili i siguron mundësinë të rinjve pjesëmarrës të përfshihen në një eksperiencë pune të integruar e në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale e të shprehive të tyre në praktikë.

Të pranishëm në aktivitet ishin Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini, përfaqësues nga institucionet qendrore e lokale, shoqëri tregtare, partnerë ndërkombëtarë, praktikantë dhe studentë të ndryshëm.

Në fjalën e saj, Ministrja Shahini dha nja panoramë të përgjithshme të këtij programi duke e cilësuar këtë vit si më të mirin në krahasim me vitet e tjera: “Është viti i dytë që koordinimin e programit e bën MASR. Zhvillimi profesional i të rinjve është prioritet i yni dhe po përpiqemi vazhdimisht që të gjejmë forma të reja për të zgjeruar gamën dhe numrin e praktikave të punës. Janë rreth 2000 studentë në total të cilët kanë realizuar praktikën 3-mujore përgjatë viteve 2015, 2016 dhe 2018. Ndërsa sivjet, në kuadër të “Paktit për Universitetin”, kemi arritur të koordinojmë mbi 2000 pozicione të lira për praktikën e punës, duke thyer rekordin e pozicioneve praktike”.  

Ajo shtoi gjithashtu: “Kryesisht praktikat e punës i kemi siguruar nëpër institucione publike, në nivel qendror e lokal, dhe një numër më i vogël pranë kompanive private. Kjo është një sfidë që na mbetet ta adresojmë, në mënyrë që të rrisim interesimin e kompanive private për praktikantët e rinj”.

Ministrja Shahini, duke theksuar faktin se është një ndër objektivat kryesorë të MASR për të lehtësuar e mbështetur në mënyrë të vazhdueshme kalimin nga arsimi në tregun e punës, u shpreh se ky program kombëtar mishëron më së miri vlerat dhe arritjen e këtij objektivi. “Gjatë këtij programi, do të realizohen detyra dhe angazhime në institucionet përkatëse bazuar në një plan pune 3-mujor dhe drejtuar nga një mbikqyrës. Pas përfundimit me sukses të programit, praktikantët do të pajisen me çertifikatë pjesëmarrjeje. Pas praktikës 3-mujore, 200 praktikantët më të mirë do të punësohen me kontratë 1-vjeçare pune në të njëjtën formë sikurse studentët ekselentë u punësuan në administratën shtetërore nëpërmjet portalit www.punetembare.al . Deri më sot, mbi 460 studentë ekselentë janë punësuar në administratë – rreth 300 prej tyre me diplomë “Master” dhe 160 me diplomë “Bachelor”.

“Pra qëllimi përfundimtar i programeve është kontrata 1-vjeçare për eksperiencë pune, por arritja deri aty është e ndryshme: programi i praktikave është i hapur për të gjithë dhe studentët kalojnë në periudhën e praktikës 3-mujore. Ndërsa programi www.punetembare.al punëson ekselentët sipas rezultateve në studime”, theksoi ndër të tjera Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Shahini.

Përfshirja e të rinjve në mënyrë të integruar dhe në ndërveprim të plotë me profesionistët e karrierës brenda administratës publike krijon një sinergji shumë të mirë, e cila jo vetëm ndikon pozitivisht në zhvillimin e aftësive profesionale të praktikantëve dhe ekselentëve, por gjithashtu forcon lidhjen e tyre me administratën duke e njohur atë më mirë e rrjedhimisht duke çelur ura të reja kontributesh për administratën europiane që duam.