Ministry of Education and Sports

Tërmeti i 26 nëntorit/Nxënësit e shkollave të Komunës Ferizaj, mbledhin 7760 euro për bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri

 

Këtë herë janë nxënësit e shkollave të Komunës Ferizaj në Kosovë ata që kanë mbështetur bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë të prekur nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit në Shqipëri.

Ministrja Shahini në një publikim në rrjetin social është shprehu mjaft e emocionuar nga ndihma e nxënësve të shkollave të Komunës Ferizaj, të cilët kanë grumbulluar 7760 Euro për bashkëmoshatarët e prekur nga tërmeti në Shqipëri.

“Jam e prekur nga bujaria e nxënësve dhe i falënderoj pafund!” – shprehet ministrja Shahini ndërsa falënderon gjithashtu stafin organizativ të Drejtorisë Komunale të Arsimit Ferizaj, si dhe të gjithë mësuesit e përfshirë bashkë me nxënësit në këtë nisëm kuptimplotë.

Nisma është iniciuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit Ferizaj dhe ka gjetur menjëherë mbështetjen e mijëra nxënësve, të cilët janë aktivizuar për të mbështetur bashkëmoshatarët e tyre nga Shqipëria.

Shkollat fillore dhe të mesme të ulëta të përfshira në këtë organizim janë: “Gjon Sereçi”; “Ahmet Hoxha”; “Ganimete Tërbeshi”; “Ismail Qemajli”; “Liman Rekaj”; “Enver Topalli”; “Jeta e Re”; “Pesë Dëshmorët e UÇK”; “Besim Rexhepi”; “Bilall Shala”; Mehdi Xhaferi”; “Visar Dodani”; “4 Prilli”; “Riza Matoshi”.

Ndërsa nga shkollat e mesme të larta janë: “Shkolla e Mesme e Mjekësisë”; Gjimnazi “Dr. Shaban Hashani”; Shkolla e Mesme Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini”; Shkolla e Mesme e Muzikës “Çesk Zadeja” dhe Shkolla e Mesme Teknike “Pjetër Bogdani”.

Të gjithë nxënësit e 19 shkollave fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta që janë përfshirë në këtë aktivitet humanitar, krahas mbështetjes së tyre të drejtpërdrejtë humanitare, kanë organizuar edhe aktivitete bamirësie ku kanë përfshirë shumë qytetarë, prindër dhe nxënës në këtë aktivitet solidar.