Ministry of Education and Sports

Matura Shtetërore 2020, Ministrja Shahini takon përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve

 

Shahini, nxënësve: “Në vijim, QSHA do të botojë më shumë resurse përgatitore që aftësojnë nxënësit në njohuri aplikative”

 

Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve, me të cilët ka diskutuar mbi temën e nxehtë të provimit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë.

 

Gjatë takimit, nxënësit përcollën në detaje para ministres të gjitha shqetësimet e maturantëve për provimin e maturës, por gjithashtu i shprehën asaj keqardhjen e tyre për ato pjesë të degraduara të protestës para ministrisë, që nuk përfaqësonin nxënësit tanë.

 

Ministrja Shahini nënvizon se ka informuar ata për rezultatet paraprake të pyetjeve tashmë të shumë-përfolura si ajo me “Turin” apo mbi kuptimin e fjalës “dlirnja” të Poradecit, që tregonin se mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë tek secila. “Kjo do të thotë qartë se këto pyetje nuk kanë qenë me probleme, pasi siç na informon edhe QSHA, të tilla konsiderohen pyetjet me nën 10% përgjigje të sakta”, shprehet ndër të tjera ajo. 

 

Në takim, Znj. Shahini ka siguruar edhe një herë përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve që me analizën përfundimtare të rezultateve, QSHA do të bëjë rishpërndarjen e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të madhe se sa njohuritë e nxënësve.

 

“Gjithsesi, pjesa më e vlefshme e bisedës tonë ishte kërkesa nga Parlamenti i Nxënësve që mësuesit të përqendrohen akoma më shumë në aftësimin e tyre për njohuri aplikative. Në këtë kuadër, unë u premtova se edhe QSHA do të punojë më fort në përgatitjen e nxënësve për provimet e maturës së vitit të ardhshëm duke botuar më shumë resurse përgatitore”, mbyll postimin e saj Ministrja Besa Shahini.