Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka uruar të gjithë fëmijët për festën e 1 Qershorit, me anë të një video-mesazhi mjaft të veçantë.

“Ata meritojnë të gjitha kushtet për të jetuar një fëmijëri të bukur. E ç’kuptim do të kishte puna dhe mundimi ynë nëse në fytyrën e tyre do të mungonte buzëqeshja?!”- shprehet ministrja.

Më tej ajo shton se çdo ditë për ta duhet të jetë ‘1 Qershor’, duhet të jetë festë.

“Prandaj ne do të punojmë fort që t’i rrisim të shëndetshëm dhe të lumtur, që t’i edukojmë siç duhet, që të jenë profesionistët e aftë dhe qytetarët e denjë të së nesërmes,” – thotë ajo.

Nga klasa e parë në të dymbëdhjetën, nxënës të disa shkollave 9 vjeçare dhe të mesme kanë dhënë mesazhe nga më të ndryshmet dhe kanë shprehur dëshirat e tyre me rastin e kësaj feste.

Në këtë video-mesazh tërheqin vëmendje mesazhet e Emanuelës nga ‘Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë’, dhe Anit, nxënësit të talentuar pianist nga ‘Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë’.

Emanuela me gjuhën e shenjave përcjell emocion të heshtur dashurie duke thënë “Ne jemi si ju!”, ndërsa Ani me pjesën e tij të luajtur bukur në piano, shoqëron të gjithë video-mesazhin e urimit për 1 Qershorin.  “Zëri arrin aty ku shikimi nuk mundet!” – shprehet pianisti i talentuar.

Ndërsa Juarti, bën një thirrje dhe lutje të fortë: “Të gjithë të përqafojnë nxënësit me aftësi ndryshe dhe me aftësi të kufizuara!”. Ai shton se “që të gjithë duhet të bëjnë durim dhe t’i mbështesin këta fëmijë dhe nxënës”.

Fëmijë nga shkolla dhe klasa të ndryshme shprehin mesazhe kundër dhunës dhe për lumturinë fëmijëve, mesazh dashurie dhe mbështetjeje për fëmijët që rriten pa prindër, për fëmijët e sëmurë me talasemi dhe leuçemi.

Gjithashtu ata shprehen kundër bulizmit, ftojnë fëmijët ta duan librin e leximin, ndërsa për fëmijët që jetojnë jashtë Shqipërisë u bëjnë thirrje që të mos e harrojnë gjuhën shqipe.

 

 

https://www.facebook.com/watch/?v=177479414300634