Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi mori pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë rektorë të universiteteve në vend, ambasadorë të trupave diplomatike në Tiranë, kryetari i Akademisë së Shkencave, profesorë, studentë dhe ish-studentë.

Në fjalën e saj Ministrja Kushi theksoi se krahasuar me shumë universitete prestigjioze evropiane, 70 vite mund të duket një moshë relativisht e re për një universitet, por mosha nuk duhet të ketë rëndësi, pasi e rëndësishme është të maten arritjet dhe suksesi, talentet dhe kontributet që ka dhënë universiteti.
Znj. Kushi shtoi se profesorët shqiptarë që do të përfshihen në programe të përbashkëta me universitete të huaja, janë po aq profesionistë dhe dinjitozë sa edhe profesorët e huaj.

Ajo tha se bujqësia vazhdon të jetë edhe sot një prioritet i pazëvendësueshëm në zhvillimin e vendit, prandaj sfida e përbashkët është të nxisim tek studentët dëshirën dhe pasionin për profesione që ka nevojë tregu për zhvillim të qëndrueshëm.

Duke folur për vlerën e diplomave të universiteteve shqiptare Znj. Kushi u shpreh se për arsimin e lartë kjo është sfida më e madhe, që këto diploma të kenë vërtetë vlerë.
“Sfida jonë më e madhe sot është që diplomat tona të universiteteve shqiptare të kenë vërtetë vlerë dhe të njihen ndërkombëtarisht”- tha ministrja, duke shtuar se është një përgjegjësi shumë e lartë për të ecur shpejt, për të rikuperuar pasojat e rënda që fatkeqësisht i vuajmë ehe sot nga historia e dhimbshme e viteve të tëra kur diplomat shiteshin dhe bliheshin në Shqipëri. 

 

https://www.facebook.com/kushievis/videos/232296198830781