Ministry of Education and Sports

Në ekspozitën “Rrugëtimi i Abetares”, me rastin e Ditës së Mësuesit në ambientet e “Qendrës për Hapje dhe Dialog” u mblodhën arsimtarë dhe përfaqësues të bibliotekës kombëtare ministrive të Arsimit dhe Sportit, Kulturës dhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Gjatë këtij aktiviteti të veçantë Ministrja e Arsimit dhe Sportit u përqendrua tek vlerat që do të ketë abetarja unike Shqipëri-Kosovë, e cila do të jetë gati në shtator të këtij viti, në prag të 110-vjetorit të pavarësisë.

Ajo tha se për këtë abetare që i bashkon të gjithë shqiptarët, Dy ministritë homologe për arsimin po punojnë së bashku në mënyrë intensive, për të patur jo thjesht një abetare të re, por një abetare sa më cilësore që reflekton më së miri të gjitha zhvillimet e fundit arsimore, sociale, kulturore e digjitale të kombit tonë.

“Jo rastësisht zgjodhëm sot këtë ditë për ekspozitën, 7 Marsin, Festën e Mësuesit, festën e shkollës së parë shqipe. Sepse janë pikërisht mësuesit ata që i përcjellin brez pas brezi, i ruajnë, dhe ua mësojnë vogëlushëve shkronjat e arta të gjuhës shqipe,”- u shpreh ministrja Kushi.

Duke folur për Abetaren e Përbashkët Unike, ajo shtoi se:

“kjo nuk do të jetë thjesht një abetare, por do të jetë një libër që do të fshijë kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës, sepse do të jetë në duart e çdo vogëlushi; do të na forcojë dashurinë për njëri-tjetrin, sepse jemi një komb e kemi një gjuhë; do të jetë abetarja e dashurisë dhe krenarisë kombëtare.

Më tej Ministrja ka uruar mësuesit për festën e tyre me këto fjalë:

“Të dashur mësues, kudo që ndodheni Gëzuar Festën! Nuk ka mision më të bukur sesa të mësosh mendjet e vogla të mendojnë, duart të krijojnë, e zemrat të duan më shumë”.

Ekspozita “Rrugëtimi i Abetares” me mbi 100 abetare të botuara ndërvite po qëndron hapur prej disa ditësh për vizitorë të ndryshëm. Ajo ka patur një interes të shtuar nga nxënës, mësues dhe vizitorë të tjerë.

 

https://www.facebook.com/kushievis/videos/279072667558665