Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi mori pjesë në samitin e zhvilluar në Paris, ku morën pjesë përfaqësues të 145 shteteve të botës.

Në këtë Samit Ministrja Kushi, e cila e mori fjalën e para, u shpreh se më në fund të gjithë jemi në një mendje që reformimi në arsim nuk mjafton, dhe se është koha për ta transformuar arsimin.

Duke folur për Shqipërinë, znj. Kushi tha se vendi ynë ka një strategji të re për arsimin, e cila për herë të parë është e plotë, gjithëpërfshirëse dhe me objektiva konkretë, të konsultuar gjerësisht me të gjitha grupet e interesit, përfshirë studentët, të rinjtë, prindërit dhe publikun e gjërë.

“Vizioni i strategjisë sonë është që të kemi një sistem arsimor cilësor të bazuar në parimin e gjithëpërfshirjes dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës,”- tha ministrja.

Ajo shtoi se duke qenë se digjitalizimi është prioritet i qeverisë shqiptare, duke filluar nga shtatori, Kodimi dhe TIK do të jenë pjesë e kurrikulave nga klasa e parë. Do të ketë më shumë investime në laboratorë të rinj dhe mundësi trajnimi si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, sepse qasja në internet është tashmë pjesë e të drejtave të njeriut.

Ndërsa për “Axhendën e Gjelbër” dhe “Mbrojtjen e Mjedisit”, znj. Kushi tha se janë gjithashtu pjesë e kurrikulës, pasi beson fort se duhen bërë më shumë përpjekje për të edukuar nxënësit në moshë të re që të jenë promovues aktivë të mbrojtjes së mjedisit.

“Qëllimi kryesor i qeverisë është t’u ofrojë të rinjve tanë arsimin më cilësor dhe t’u japim atyre më shumë mundësi për ta parë të ardhmen në vendin e tyre si dhe të japin kontribut për zhvillimin e tij,” – nënvizoi ministrja.

 

https://fb.watch/dYif5eVbhw/