Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, morën pjesë në përmbylljen e projektit “Delegatët e Rinj të Kombeve të Bashkuara për Shëndetin Mendor”, i cili u zbatua në 21 gjimnaze në 6 qarqe të vendit me mbështetjen e UNICEF Albania dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri.

Ministrja Kushi gjatë fjalës së saj vuri theksin tek rëndësia e vetëdijësimit të të rinjve në lidhje me shëndetin mendor, i cili luan një rol kyç në procesin e të nxënit dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve. Ajo tha se çdo vit numri i punonjësve të shërbimit psiko-social ka ardhur në rritje, pasi ata japin një ndihmë të konsiderueshme në evidentimin dhe trajtimin e rasteve në bashkëpunim të ngushtë me qendrat e shëndetit mendor.

Ndërkohë, duke folur për vlerën e aktiviteteve sportive tek nxënësit, Ministrja Kushi tha se aktiviteteve sportive në shkolla u jepet një vëmendje maksimale. Sporti i mban të rinjtë larg fenomeneve negative sociale, larg drogës, alkoolit, dhunës. Numri i klasave sportive dhe i orëve të edukimit fizik në shkolla është rritur.

Gjithashtu, ministrja u ndal edhe tek iniciativa më e fundit për sigurinë në internet.

“Dua ta theksoj këtë çështje sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se çfarë efekti negativ ka tek të rinjtë tanë qëndrimi me orë të zgjatura përpara internetit dhe aksesi i pakontrolluar në informacione të ndryshme që mund të jenë shumë të dëmshme për formimin dhe zhvillimin e nxënësve, të rinjve dhe të rejave”- tha Kushi.

 

Ajo shtoi se për këtë arsye është hartuar një udhëzues i cili është në dispozicion të nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Për vitin e ardhshëm shkollor është përcaktuar një plan pune për ndërgjegjësimin e sa më shumë të rinjve në të gjitha bashkitë e vendit për pasojat që mund të vijnë nga interneti, bulizmi kibernetik, ngacmimet apo vjedhja e të dhënave personale.

 

https://www.facebook.com/kushievis/posts/pfbid02H1Uxvy2fPn8HuLRgt9FQovzXSvdNdiv86G5evtNFd5vnh4vQjW8sRCX9uo5wsGmul