Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka vendosur kontaktet e para me Kolegjin Evropian të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Bruksel, i cili do t’i hapë rrugë një bashkëpunimi institucional me universitetet shqiptare në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit.

 

“Së bashku me Dr. Georgică Panfil, Koordinator i Shkollës Evropiane të Doktoraturës për Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së, si dhe Ambasadorin e Akredituar të Spanjës Sh.T.Z Alvaro Renedo Zalba, diskutuam rreth mundësisë së anëtarësimit të Shqipërisë në këtë institucion prestigjioz të BE-së, si dhe hapjes së një programi doktorature të përbashkët, e cila do të ndihmojë në rritjen e mëtejshme të cilësisë së universiteteve tona”- shkruan ministrja Kushi në një status në rrjete sociale.

 

Gjatë takimit u bisedua rreth hapave të mëtejshëm për projekte të përbashkëta dhe bashkëpunime të universitetit të Tiranës, por edhe universiteteve të tjera publike shqiptare me Shkollën Evropiane të Doktoraturës për Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së.

 

Ky institucion është pjesë e iniciativës së nisur në vitin 2017 nga institucione vullnetare dhe Kolegji Evropian i Sigurisë dhe Mbrojtjes për të ofruar mbështetje për kërkimin shkencor në doktoraturë mbi Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP- Common Security and Defence Policy) në BE, me objektiv krijimin e një grupi kritik në ekspertizën shkencore dhe akademike, si dhe nxitjen e shkëmbimit të njohurive, aftësive dhe kompetencave për sigurinë dhe mbrojtjen evropiane.

 

https://www.facebook.com/kushievis/posts/pfbid0qbuzEFWRcyWjMDKtfn38pVzQjqB7LciKBfA51x1ZsT233s2BqpmE4aoJTuZVpFuml