Ministry of Education and Sports

Pas mbledhjes së sotme të qeverisë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka lajmëruar miratimin e vendimit për rritjen e  numrit të oficerëve të sigurisë me 70, ndërkohë që aktualisht në shkolla ushtrojnë detyrën 150 oficerë sigurie. Risia e këtij vendimi është që oficerët e sigurisë nuk do të jenë më vetëm në shkollat e mesme, siç kanë qenë nga viti 2018, por edhe në shkollat 9-vjeçare ,e prioritet shkollat me numër të lartë nxënësish.

Ministrja Kushi theksoi se në kuadër të strategjisë kombëtare të arsimit 2021-2026 ku synohet një sistem arsimor cilësor, i barabartë dhe gjithëpërfshirës që garanton më shumë mbrojtje dhe siguri për nxënësit, para dy ditësh u vendos për rritjen e numrave për punonjësit psiko-socialë me 235, si dhe për mësuesit ndihmës me 250, duke u afruar më shumë me standardet e Bashkimit Evropian.

 

FJALA E PLOTË E MINISTRES KUSHI PAS MBLEDHJES SË QEVERISË

 

Përshëndetje!

Sot në Këshillin e Ministrave vendosëm që të rrisim edhe numrin e oficerëve të sigurisë në institucionet tona arsimore.

Në strategjinë kombëtare të arsimit 2021-2026 ne e kemi theksuar që synojmë të ofrojmë një sistem arsimor cilësor, të barabartë dhe gjithëpërfshirës, duke garantuar më shumë mbrojtje dhe siguri për nxënësit në institucionet tona arsimore.

Dhe në këtë kuadër edhe para dy ditësh ne kemi vendosur të rrisim numrat edhe për punonjësit psiko-socialë, si dhe për mësuesit ndihmës. Pra konkretisht ne kemi rritur stafet tona me 235 punonjës psiko-socialë, dhe 250 mësues ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe, duke u afruar kështu më shumë me standardet bashkëkohore të Bashkimit Evropian për këto shërbime në institucionet arsimore.

Dhe sot vijmë me një tjetër vendim të rëndësishëm. Sot kemi vendosur të rrisim edhe numrat për oficerët e sigurisë. Aktualisht në shkollat tona ne kemi 150 oficerë sigurie, në bashkëpunim kjo me Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që sot vendosëm të kemi edhe 70 oficerë sigurie më shumë.

Qëllimi i kësaj nisme është që të ofrojmë më shumë siguri, më shumë mbrojtje për nxënësit tanë jo vetëm brenda territoreve të shkollës, por edhe në zonat përreth shkollave.

Këtë do ta sigurojmë në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit, me punonjësit psiko-socialë dhe me institucionet e tjera lokale. Qëllimi gjithashtu është që të parandalojmë fenomenet negative që në gjenezë, pikërisht falë këtij bashkëpunimi dhe me institucionet tona, dhe me stafet tona por edhe me oficerët e policimit në komunitet.

Risia e këtij vendimi është që oficerët e sigurisë nuk do të jenë më vetëm në shkollat e mesme që kanë qenë gjatë këtyre tre viteve, që nga viti 2018 kur ka hyrë për herë të parë kjo strukturë në institucionet tona, por tashmë oficer sigurie do të kenë edhe shkollat e arsimit bazë, pra shkollat 9-vjeçare.

Natyrisht, duke i dhënë më shumë prioritet shkollave që kanë një numër më të lartë nxënësish.

Ne natyrisht gjatë kësaj periudhe do të vijojmë edhe me trajnimet, me përgatitjen e tyre, me rritjen e kapaciteteve profesionale, sepse nxënësit tanë, fëmijët tanë meritojnë më të mirën.

Faleminderit!

 

https://www.facebook.com/kushievis/videos/3279691355641156/