Ministry of Education and Sports

Në lidhje me temën më të diskutuar të javëve të fundit, rritjen e pagave të pedagogëve, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi u shpreh se deri tani 8 universitete publike e kanë bërë realitet vendimin e rritjes me 8% në senatin akademik dhe bordet e administrimit.
Ndërkohë që janë edhe 4 universitete duke bërë analizat finale të të ardhurave dhe brenda këtij muaji ata do të kenë një vendimmarrje në lidhje me shtesën e pagave. Këta katër universitete janë Universiteti i Arteve, Universiteti “Eqerem Çabej” Gjirokastër, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë dhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë.
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, pagat e stafit akademik u rritën deri në 15%, ndërkohë që shtesa e pagës prej 7% nga buxheti i shtetit nisi më datë 1 tetor.
Për sa i përket kërkesave të sindikatës së pedagogëve, ministrja u shpreh se për të gjitha kërkesat e tyre janë ngritur grupe pune, por disa prej kërkesave janë vetë universitetet që duhet të marrin masa, si për shembull transparenca e vendimeve të universiteteve.
Ministrja bëri sërish thirrje që universitetet të marrin pjesë në më shumë projekte të programit Horizont Evropa duke shtuar se statistikat dhe performaca e bën optimiste për përfitimet e universiteteve në të ardhmen.
Duke u ndalur tek ndërkombëtarizimit, znj. Kushi nxiti edhe një herë të gjitha universitetet që të hartojnë programe të përbashkëta dhe të dyfishta me universitetet më prestigjioze evropiane dhe ndërkombëtare. Si dhe nxiti hapjen e filialeve të universiteteve prestigjioze në Shqipëri.
Hartimin e programeve në gjuhë të huaj, kryesisht në gjuhën angleze, për të nxitur ardhjen e studentëve nga rajoni apo vendet e huaja në Shqipëri. Sipas ministres shumë nga këto hapa i vijnë në uljes së barrës financiare të familjeve shqiptare që synojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë për një arsim më cilësor.
Nga 41 marrëveshje të bëra nga universitetet shqiptare, këtë vit janë aktivizuar 15 programe të përbashkëta apo të dyfishta studimi.
Programet në gjuhë të huaj, të cilat znj. Kushi theksoi se janë 27 të tilla, kanë bërë që studentë të huaj të vijnë në Shqipëri.