Ministry of Education and Sports

 

Mirëdita!

 

Dy nga vendimet që u morën sot në Këshillin e Ministrave lidhen me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

 

Vendimi i parë ka të bëjë me tekstet shkollore në arsimin parauniversitar. Tashmë e dimë që vizioni kryesor i arsimit në Shqipëri është një sistem arsimor cilësor, gjithëpërfshirës dhe i barabartë. Dhe pikërisht në funksion të përmbushjes së këtij vizioni, ne kemi arritur që të kompletojmë tekstet shkollore në përdorim falas për të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasa e parë në klasën e nëntë, plus 16 kategori në arsimin e mesëm.

 

Qëllimi sigurisht është që të lehtësojmë barrën financiare të familjeve. Jo të gjitha mund t’i kenë kushtet për tua siguruar fëmijëve të tyre tekstet shkollore, dhe nga ana tjetër e kemi specifikuar që janë “tekste shkollore në përdorim falas”. Që do të thotë që nxënësit pasi i përdorin për një vit librat falas, kanë detyrimin që t’i dorëzojnë dhe vitin tjetër t’i përdorin nxënësit e tjerë.

 

Dhe tekstet përdoren për tre vite. Pas tre vitesh blihen tekste të reja. Por ndërkohë ne në fund të çdo viti bëjmë analizën që ato tekste që janë të papërdorshme, të dëmtuara, të zëvendësohen edhe pas vitit të parë apo pas vitit të dytë.

 

Atëherë, ne sot në Këshillin e Ministrave për shkak të një kërkese të vazhdueshme që na ka ardhur nga prindërit, por edhe nga mësuesit, kemi vendosur që për nxënësit e klasave nga e para në të tretë, tekstet të ofrohen falas çdo vit.

Pra nxënësit të mos kenë detyrimin që në fund të vitit shkollor t’i dorëzojnë tekstet për t’i përdorur nxënësit e tjerë. Kemi vendosur kështu sepse për nxënësit e klasave fillore, nga klasa e parë në të tretën, nga njëra anë janë shumë të vegjël dhe e kanë ende të vështirë që ta mirëmbajnë librin siç duhet dhe ky më pas të jetë i përdorshëm, por nga ana tjetër tekstet, programet janë të tilla që mbi tekste ka edhe shënime, ka edhe ushtrime ku nxënësit duhet të shkruajnë dhe më pas është e vështirë që t’i fshijnë dhe tekstet të përdoren nga nxënësit e tjerë.

 

Unë dua ta theksoj që arsyeja pse ne kemi vendosur që për klasat e tjera të vazhdojnë që tekstet të jenë në përdorim falas, dhe të trashëgohen nga një brez në tjetrin, është edhe për t’i edukuar nxënësit që ta mirëmbajnë librin, të jenë miq për librin, të kujdesen, të kursejnë sepse është një vlerë që i shërben atyre edhe për jetën e tyre të përditshme, ta kenë si edukatë, ta kenë në kulturën e tyre.

 

Ndërkohë, kemi një vendim tjetër të rëndësishëm që lidhet me Sportin dhe konkretisht ne kemi kërkuar një buxhet shtesë për MAS për shpërblimin e sportistëve elitarë.

Siç jemi të gjithë dëshmitarë, këtë vit sportistët tanë elitarë kanë patur rezultate të shkëlqyera në raport me vitet e kaluara. Na kanë nderuar, na kanë bërë krenarë me medalje ari, argjendi, me rezultate shumë të mira në kampionate evropiane, madje dhe botërore. Madje ne kemi kampionë botërorë. Dhe këto rezultate tashmë i kanë tejkaluar edhe parashikimet tona dhe planifikimet tona buxhetore nga viti i kaluar. Kështu që për të përmbushur detyrimin tonë ligjor për t’i shpërblyer sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave këta sportistë, ne kishim nevojë për një shtesë fondi prej 45 milionë lekësh. Kështu që në këtë vendim, jo vetëm që u miratua kjo shtesë por janë të specifikuar edhe të gjithë sportistët elitarë së bashku dhe me trajnerët e tyre. Sepse e dimë tashmë që ne legjislacionin e kemi përafruar me BE-në. Ne vlerësojmë apo shpërblejmë jo vetëm sportistët që marrin medalje, por edhe trajnerët e tyre.

 

Kështu që i falënderoj të gjithë këta sportistë që kanë marrë rezultate të larta, kanë ngritur lart flamurin shqiptar dhe uroj që edhe në vitin e ardhshëm të kemi rezultate, pse jo, edhe më të mira se të këtij viti.

 

Faleminderit!