Ministry of Education and Sports

FJALA E PLOTË E MINISTRES EVIS KUSHI

 

Viti 2022 ishte një ndër vitet më të suksesshme për sa i takon sportit. Shqipëria ka fituar 44 medalje. Më shumë se çdo vit tjetër.

Po kështu viti ishte i mbushur me evenimente madhështore sportive. Për herë të parë kemi organizuar një event siç ishte UEFA Conference League, ku Tirana u bë kryeqendër e gjithë Evropës.

Kishim sportdashës, turistë nga gjithë Evropa. Tashmë Shqipëria i ka  kapacitetet, e ka infrastrukturën e duhur për të organizuar evente madhështore, siç është edhe ky ku jemi mbledhur sot të gjithë.

 

E ndërkohë ne vitin e kaluar nisëm projektin e ekipeve sportive, projekti më i madh ndonjëherë në shkolla. Plot 10 mijë nxënës me 700 ekipe sportive që u japin shkollave tona gjallëri. Dhe në fund të fundit bëjnë një jetë të shëndetshme për t’i mbajtur larg veseve, alkolit apo rrjeteve sociale, për të qenë aktiv me sportin dhe jetën e shëndetshme.

 

Por qershia mbi tortë ishte shpallja e Tiranës si Qyteti Evropian i Sportit, pas një viti të suksesshëm si Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Ky ishte një ogur shumë i mirë, sepse që në ditët e para të janarit ne kemi një kampione bote në ski, Lara, që doli kampione bote në Downhill. Jam e bindur që do të pasohet me shumë medalje, e më shumë kampionë të tjerë.

 

Tirana është Qyteti Evropian i Sportit, zyrtarisht. Unë do t’i kërkoja Bashkisë së Tiranës, Kryetarit të Bashkisë z. Veliaj që në këtë projekt të madh të përfshijë sa më shumë nxënës shkollash, sa më shumë të rinj e të reja, studentë. Sepse sporti është shëndet për mendjen. Siç thoshte edhe Mandela, sporti ka fuqi të bashkojë botën, ka fuqi të frymëzojë njerëzit, i bën njerëzit bashkë, sporti nxit vlera që nuk zor se i nxit diçka tjetër, punën në skuadër, këmbënguljen, të mësohemi të ringrihemi kur rrëzohemi, të mësojmë edhe me humbjen. Të gjitha këto t’i mëson sporti. Sporti ka një gjuhë që të rinjtë e kuptojnë më mirë se çdo gjuhë tjetër.

Prandaj unë si Ministre e Arsimit dhe Sportit do t’i jap gjithë mbështetjen e duhur këtij projekti që ky të jetë një sukses edhe më i madh se sa projekti Tirana kryeqyteti i rinisë.

 

Ta gëzojmë të gjithë së bashku këtë titull.Tirana e meriton plotësisht. Kryetari Erion Veliaj e meriton plotësisht, por mbi të gjitha e meriton kjo rini e mrekullueshme, të rinjtë e të rejat.

 

Suksese të gjithëve, le të përfitojmë sa më shumë nga ky shans që na jepet.

 

Suksese!

 

###

 

https://fb.watch/iit7Lm45KH/