Ministry of Education and Sports

Në Mbrëmjen Gala “Më të mirët 2022”, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, ka dorëzuar çmimin “Topi i Artë” për futbollistin Redion Xhixha.

Ky trofe iu dorëzua kapitenit të KF Tiranës Marsel Ismajlgeci, në mungesë të sulmuesit shqiptar, i cili së fundmi është transferuar në ekipin e Qarabag-ut në Azerbajxhan.

Në fjalën e saj ministrja theksoi se futbolli nxit vlera, sepse nuk mjafton të luash bukur për të fituar në futboll nuk mjafton vetëm talenti, nuk mjaftojnë vetëm këmbët e shpejta, por padyshim duhet shumë sakrificë, shumë përpjekje dhe disiplinë, duhet të luash me mendje dhe zemër. Mbi të gjitha duhet të luash në skuadër, duhet fryma e ekipit duhet harmonia.

Ndaj MAS e FSHF nënshkruan një marrëveshje për futbollin në shkolla, me mbështetjen e FIFA-s, sepse duhet që këto vlera të futbollit, të nxiten tek nxënësit dhe fëmijët që në moshë të vogël.
Ministrja shtoi se futbolli, si gjithë sporti në përgjithësi, sjell edhe zhvillim të turizmit dhe ekonomik, siç ndodhi në finalen e Conference League ku Tirana u shndërrua në një kryeqytet për të gjithë Evropën.

Znj. Kushi duke folur për stadiumet e reja, theksoi se këto vite janë ndërtuar stadiume me standarde bashkëkohore në Elbasan, Kukës, Shkodër, Tiranë.
Por gjithashtu ka ndarë lajmin e mirë se tashmë ka nisur puna për projektimin dhe më pas ndërtimin e tre stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë.

“Do të jenë konkurse ndërkombëtare për të patur projekte sa më të bukura. Nuk është fjala vetëm për rikonstruksion të stadiumeve por do të jenë rikonceptime të stadiumeve ekzistuese, për të patur komplekse jo vetëm me mjedise sportive, por edhe qendra tregtare, hotele, në shembullin e stadiumit ‘Air Albania’,” – u shpreh ministrja.

 

https://fb.watch/ikGfHXiT7B/