Ministry of Education and Sports

Sot u organizua Konferenca e parë Kombëtare e Bashkëpunimit Universitet-Biznes, në të cilën merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, institucioneve arsimore, rektorë, pedagogë, kërkues dhe përfaqësues të biznesit.

Kjo konferencë kishte për qëllim prezantimin e iniciativave të reja për të stimuluar marrëdhënien Universitet-Biznes, nxjerrjen në pah të sfidave të këtij bashkëpunimi në fushën e kërkimit dhe inovacionit, si dhe ndarjen e përvojave të ndryshme që nxisin dialogun e kërkuesve shkencorë, universiteteve me industrinë dhe biznesin.

Kjo është hera e parë që çështja e bashkëpunimit Universitet-Biznes me fokus kërkimin shkencor trajtohet në një nivel të tillë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi theksoi se të gjithë aktorët, institucionet arsimore, industria dhe biznesi, kanë secila një rol të rëndësishëm për zhvillimin e kërkimit shkencor, i cili duhet të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të Shqipërisë. Ndaj Ministria e Arsimit dhe Sportit ka si mision një arsim cilësor, diploma me vlerë, ndërkombëtarizimin dhe rritjen e shkëmbimeve me universitetet më prestigjioze.

Ministrja u shpreh se tashmë pedagogët dhe studentët duhet të përdorin dijet dhe talentin e tyre në mënyrën më të mirë, si dhe të punojnë për të adresuar sfidat e mëdha për të ofruar një përvojë më të mirë për të gjithë shqiptarët.

Mesazhi i znj. Kushi për kërkuesit ishte që ata duhet të jenë të guximshëm, këmbëngulës dhe të hapur për bashkëpunimin me të gjithë aktorët, për të mirën dhe të ardhmen e vendit.

“Ne thjesht nuk mund të bëjmë përparim pa bashkëpunimin përtej disiplinave, përtej institucioneve që përfaqësojmë, madje edhe përtej kufijve. Unë besoj se në fushën e kërkimit shkencor ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë aktorët, edhe në interes të vetë shkencës”- u shpreh ministrja.

Ajo shtoi se bashkëpunimi Universitet-Biznes është një çështje e integrimit në BE dhe një nga parimet e Zonës Evropiane të Kërkimit.

“Vizioni ynë është që kërkimi shkencor të jetë një ‘veprimtari e hapur e konceptuar si një e mirë publike’. Çdo qytetar në Shqipëri duhet të njohë dhe ndjejë impaktin e kërkimit shkencor në jetën e tij. Dhe ne duhet të përdorim ekselencën tonë të shkencës dhe kërkimit për të promovuar vlerat, por edhe për të zgjidhur problemet që kemi, për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë, si dhe për të inkurajuar njerëzit ta vizitojnë, studiojnë, punojnë dhe investojnë këtu,” – nënvizoi znj. Kushi.

 

https://fb.watch/jHMkrhVJMm/?mibextid=cr9u03