Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi mori pjesë në një aktivitet ku u prezantua zgjerimi i programit READ (Ekspertiza e Kërkimit nga Diaspora Akademike) nga 10 universitete në 15 universitete në të gjithë vendin.

 

Ky program që deri më sot ka përfshirë 10 universitete publike, tashmë zgjerohet edhe me 5 universitete të tjera jopublike, të cilët kanë krijuar tashmë një bashkëpunim të qëndrueshëm me diasporën akademike.

Ministrja vlerësoi kontributin e dhënë nga qindra akademikë të diasporës për arsimin e lartë, që nga hartimi i kurrikulave dhe programeve të përbashkëta, si dhe punën e bërë për kërkimin shkencor ku përfshihen artikujt e përbashkët në revista prestigjioze evropiane.

Znj. Kushi u ndal edhe tek ndërkombëtarizimi i universiteteve, duke e cilësuar si një nga prioritetet e arsimit të lartë.

“Ndërkombëtarizimi i universiteteve është prioriteti ynë absolut dhe diaspora akademike në këtë drejtim jep një kontribut të çmuar absolutisht. Sepse ne me ndërkombëtarizim të universiteteve nënkuptojmë programet e përbashkëta, programet e dyfishta, shkëmbimin e pedagogëve, punë kërkimore të përbashkëta. Pra janë pikërisht diaspora akademike që do të shërbejnë si ura shumë të mira bashkëpunimi, tashmë jo individuale, jo ata personalisht, por edhe përmes institucioneve që ata përfaqësojnë. Përmes universiteteve apo institucioneve kërkimore shkencore, ku ata janë të angazhuar në Evropën perëndimore kryesisht dhe në Shtetet e bashkuara të Amerikës.”

Ministrja në fjalën e saj u shpreh e kënaqur nga arritjet e disa universiteteve, pedagogëve e kërkuesve në programet e kërkimit shkencor të BE-së, si “Horizont Evropa” dhe “Erasmus”.

 

###

 

https://www.facebook.com/100057450729783/posts/pfbid02xDCJJ7e4BAo8DwbySnv9BFc7Uwt9H4Q1P2hgpRK7mhD2SnqzhaVhtKzeo8DCK2GVl/?mibextid=cr9u03