Ministry of Education and Sports

Ruajtja e traditave dhe përçimi i tyre në breza ishte kryefjalë e panairit “Art, Zeje dhe Sport” të organizuar në sheshin “Gjergj Kastrioti” në Lezhë.

Me punimet e tyre artizanale, fëmijët e 47 shkollave 9- vjeçare dhe të mesme në Lezhë përveç emocioneve, përcollën mesazhe të forta që kanë të bëjnë me ruajtjen e zakoneve, këngëve, valleve dhe  traditave shqiptare që janë ruajtur me fanatizëm nga të parët tanë dhe i kanë sjellë deri më sot të pa ndryshuar.

Ministrja Kushi pa nga afër punimet e fëmijëve dhe u kërkoi që këtë traditë ta vazhdojnë.

“Për mua është hera e dytë që vij në Lezhë, për një event si ky. Një panair, ku nxënës nga shkolla të ndryshme nga i gjithë qarku, vijnë dhe prezantojnë të gjithë punimet e tyre, në pikturë, zeje, në art, veshje tradicionale. E ku ka më bukur, se sa t’i edukojmë brezit të ri që t’i duan traditat, ta duan artin, dhe këtu kam parë talente të jashtëzakonshme. Kjo është një mundësi shumë e mirë, që ne t’i identifikojmë talentet, e më pas t’i mbështesim që ata të ndjekin talentin e pasionin e tyre” – u shpreh ministrja.

Znj. Kushi falënderoi prindërit, mësuesit dhe Bashkinë e Lezhës për vëmendjen e veçantë që i ka kushtuar jo vetëm arsimit e shkollave, por edhe programeve jashtë shkollore.

“Unë e falënderoj shumë drejtorinë rajonale, Hasanin, dhe të gjithë mësuesit që i ndjekin dhe mbështesin kaq shumë këta fëmijë. Patjetër edhe prindërit. Prindërit na japin një mbështetje shumë të madhe, pasi kur është fjala për zeje, për grep apo punime me dorë janë pikërisht mamatë, gjyshet që ua përcjellin traditën dhe nxënësve të tjerë” – tha ministrja.

Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 2 mijë nxënës të cilët shprehën talentin e tyre në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës.

 

https://www.facebook.com/kushievis/videos/2268780596643655/