Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe organizata World Vision me temë “Siguria e fëmijëve në internet”.

Në fjalën e saj Ministrja Nikolla e cilësoi internetin si një shpikje e cila ofron jo vetëm informacion të pakufishëm intelektual, argëtues dhe informativ, por edhe një shpikje që e ka bërë njerëzimin të jetë më i informuar në kohë reale për gjithçka ndodh afër dhe larg tij. “Nga ana tjetër si çdo mekanizëm i lirë e i fuqishëm në shërbim të nevojave dhe kërkesave të publikut, shpeshherë përballemi edhe me  anë të errëta, të cilat individë të caktuar mund t’i përdorin për qëllimet e tyre dashakeqe”, u shpreh znj. Nikolla.

Në emër të institucionit që drejton znj. Nikolla, garantoi se siguria e fëmijëve në internet mbetet një ndër prioritetete kryesore të  Qeverisë,  jo vetëm në kontekstin e projektit kombëtar për përdorimin e tabletave në proçesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, por të gjithë reformës së përdorimin të teknologjisë së informacionit nga nxënësit dhe mësuesit.
Më poshtë fjala e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla në Konferencën “Siguria e fëmijëve në internet”:

Ndjehem mjaft e entuziazmuar dhe e lumtur që ndodhem sot këtu pranë jush, në prezencë edhe të kaq shumë fëmijëve e të rinjve për të folur për një temë mjaft interesante dhe të rëndësishme siç është interneti (siguria në internet). Në fakt interneti është një shpikje e cila jo vetëm ofron informacion të pakufishëm intelektual, argëtues dhe informativ, por nga ana tjetër e ka bërë njerëzimin të jetë më i informuar në kohë reale për gjithçka ndodh afër dhe larg nesh.

Por nga ana tjetër, si çdo e mirë dhe si çdo mekanizëm i lirë e i fuqishëm në shërbim të nevojave dhe kërkesave të publikut, shpeshherë përballemi edhe me  anë të errëta, të cilat individë të caktuar mund t’i përdorin për qëllimet e tyre dashakeqe. Nënkuptoj këtu shkeljen e së drejtës të privacisë online, abuzimeve me të drejtën e autorësisë, trajtimit të temave jo të hijshme, dhunës së shfaqur nëpërmjet videove e mesazheve diskriminuese e nxitëse për dhunë e urrejtje, si dhe industrinë pornografike të lidhur edhe me fëmijët.

Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ju garantoj se siguria e fëmijëve në internet mbetet një ndër prioritetet tona kryesore, dhe jo vetëm në kontekstin e projektit kombëtar për përdorimin e tabletave në proçesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.  Pavarësisht faktit se nga qeverisja e mëparshme kemi trashëguar një borxh të përafërt prej 3 milion Euro ndaj kompanisë që ka ofruar internetin, pavarësisht faktit se një pjesë e madhe e laboratorëve kompjuterikë nëpër shkolla janë në gjendje të dëshpëruar teknike, kemi ndërmarrë këtë sfidë, sepse mendojmë se aftësimi i të rinjve dhe të rejave të sotme me veçoritë profesionale që i kërkon shekulli i njëzet e një, është arma më e mirë që mund t’i japim brezit të ri për të ardhmen pikërisht aftësimin e tyre në përdorimin e  teknologjisë së informacionit.

Me mbështjen e Kryeministrit Rama, po bëjmë përgatitjet për të patur tableta fillimisht në 100 shkolla të mesme të vendit, sipas një shpërndarjeje gjeografike jo preferenciale apo klienteliste, duke synuar që t’i kemi ato në çdo klasë e në çdo shkollë të mesme deri në vitin 2017.  Për nxënësit e klasës së dhjetë do të mundësojmë jo vetëm tabletën, por edhe do të përzgjedhim ato lëndë që do të mund t’i pilotojmë nëpërmjet tabletit, si edhe programe të cilat  mund t’i përdorin për të realizuar mësimin për të bërë demostrime. Menaxhimi i tyre në klasë, menaxhimi dhe siguria e lundrimit të nxënësve në internet, do të jenë pjesë e protokolleve të mirë menduara paraprakisht dhe kushte të cilat do t’u vihen kompanive që do të ofrojnë internetin, si edhe partnerëve tanë të cilët do të na ndihmojnë në këto pilotime.

Por, ndërkohë ne po punojmë gjithashtu edhe përsa i përket përdorimit të teknologjisë në shkollat nëntëvjeçare, me objektivin që të përdorim tabletat edhe aty në një fazë të dytë.  Ne po kryejmë të gjitha proçedurat e nevojshme teknike dhe ligjore për të inventarizuar cilësinë e  laboratorëve në këto shkolla, si edhe për përgatitjen e një strategjie të mirështjelluar investimesh për to.
Reforma jonë në përdorimin e teknologjisë së informacionit nuk mund të ndajë aftësimin e nxënësve nga mësuesi.  Sot, pa frikë pranojmë se nxënësi ka aftësi shumë më të mira informatike dhe përpunuese sesa një pjesë e madhe e mësuesve tanë.  Po punojmë që komponentin e trajnimit të mësuesve ta bëjmë real dhe certifikimi i tyre të mos jetë vetëm për efekte page, por konkret dhe domosdoshmëri për zhvillimin e tyre profesional dhe për suksesin e projektit tonë.

Me organizata të rëndësishme si World Vision, por edhe me korporata të nderuara si Microsoft, kemi kryer jo vetëm Javën e Sigurisë së Fëmijëve në Internet në Tiranë, Elbasan, Shkodër e një sërë rrethesh të tjera, por kemi rënë dakort që të bëjmë edhe përmirësimet e nevojshme në kurrikulën parauniversitare për ta përfshirë gjerësisht këtë temë të rëndësishme, si edhe të gjenerojmë trajnime për mësuesit përkatës.

Në kuadrin e projektit tonë kombëtar ‘Shkolla si Qendër komunitare’, e cila do ta hapi shkollën përballë komunitetit. Prindërit dhe vëllezërit e motrat më të rritur, do të kenë mundësi të përmirësojnë aftësitë e tyre teknologjike nëpërmjet kurseve që do të mund të ofrohen në laboratorët kompjuterike të shkollës, por edhe  të shkëmbejnë mendime mbi sigurinë e fëmijëve të tyre në internet, të ofrojnë mendime mbi temat e trajnimit të fëmijëve të tyre, etj.  Ne shpresojmë shumë që të kemi edhe përkrahjen e gjerë të punonjësve të industrisë së teknologjisë informatike, që janë pjesë e komunitetit të prindërve, të ofrohen të jenë pjesë e këtij projekti ambicioz me ndarjen e dijeve të tyre me komunitetin. Nga ana tjetër do të ftoja studentët e teknologjisë së informacionit që praktikën e tyre ta bënin pikërisht në këto shkolla duke dhënë jo vetëm kontributin e tyre për nxënësit, por duke përvetësuar dhe eksperincën reale të tregut të punës.

Së fundmi më lejoni të ndaj me ju shqetësimin tim për sa i përket disa prej të dhënave statistikore të dala nga studimi i një grupit te fëmijëve nën kujdesin e World Vision. Sipas kësaj organizate 85 % e fëmijëve të anketuar kanë akses në internet (një lajm i mirë); familjet shqiptare kanë tendencën që kompjuterin fëmijës t’ia lënë në dhomën e gjumit (shqetësim); 62 % e fëmijëve të intervistuar kanë konfirmuar se kanë lundruar më shumë se një herë në rrjete pornografike dhe 47% e fëmijëve të intervistuar konfirmojnë se janë kontaktuar nga të huaj me shumë se një herë (shqetësimi rritet).  Këmbana e alarmit ka kohë që ka rënë.  Por, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit e ka marrë shumë seriozisht këtë detyrë, shpresojmë që të kemi me vete jo vetëm përkrahjen e të gjithë aktorëve të pranishëm në këtë konferencë, por veçanërisht të komunitetit të prindërve, sepse në këtë rrugë të gjatë është provuar se nevojitet bashkëpunim i gjerë.  Ne kemi vullnetin për të bashkëpunuar me të gjitha palët dhe për të qenë të suksesshëm, të gjithë së bashku, në të mirë të fëmijëve tanë, në të mirë të së ardhmes sonë.

Për të mbyllur fjalën time, doja të përmendja disa shënime që po lexoja mbrëmë rreth sugjerimeve të fëmijëve dje në ambientet e MAS-it. Më mrekulloi aftësia e tyre për të analizuar këtë fenomen dhe për të dhënë kontributin e tyre duke rekomanduar dhe u sensibilizuar në çështjen e sigurimit të internetit. Gjithkush fliste për fushatat ndërgjegjësuese, për trajnime dhe përgatitje të mësuesve e prindërve, për përdorimin e orëve të lira për informim, për takime të veçanta nëpër shkolla, për programe të përbashkëta me shkolla të huaja e deri tek koordinimi me qeverisjen vendore dhe qëndrore për të mundësuar internet të sigurt dhe në qendra interneti private. Jam realisht shumë entuziaste dhe krenare nga shënimet që stafi im më raportoi mbi këtë takim paraprak me fëmijët, pasi më bën realisht shpresëplotë që gjenerata tjetër po bëhet pararojë e zhvillimit tonë të përbashkët. Ndaj ju zotohem se personalisht do të bëjë ç’është e mundur që së bashku të nisim një kapitull të ri për sigurinë në internet dhe sigurisht për zhvillimin e informacionit dhe teknologjisë në arsimin shqiptar të fëmijëve tanë.

Ju faleminderit.

{:}