Ministria e Arsimit dhe Sportit

Sot, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga ambasada Norvegjeze në Tiranë me temë “Academic Exchange for Progress”, në ambientet e Hotel “Tirana”.

Ky aktivitet financohet nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Europës Jug-Lindore në Maqedoni dhe Gjovik University College në Norvegji. Qëllimi i kësaj nisme është mundësimi i shkëmbimeve të eksperiencave dhe programeve në fushën e teknologjisë, informacionit dhe komunkimit ndërmjet studentevë të këtyre vendeve. Ndërkohë që në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe drejtues të bizneseve nga fusha e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit, të ftuar për të bashkëpunuar dhe për t’u bërë pjesë e kësaj nisme duke mundësuar praktikën e studenteve të këtyre lëndëve pranë aktiviteteve të tyre.

Në fjalën e saj, ministrja Nikolla duke falënderuar Qeverinë Norvegjeze dhe partnerët e tjerë rajonal për këtë mbështetje, theksoi domosdoshmërinë e ripërditësimit të kurrikulave të këtyre lëndëve si pasojë e ndryshimeve të shpeshta që sjellin zhvillimet e kësaj industrie.“Ndryshimet e shpeshta kërkojnë që kurrikulat e TIK të përditësohen me risitë e njëpasnjëshme që prodhon industria dixhitale. Kjo duhet të bëhet duke ndjekur vazhdimisht rrymat e ndryshimeve në TIK dhe duke i integruar ato në mësimdhënie e kërkim shkencor, në mënyrë që brezi ynë i ri të arsimohet me dijet më të fundit të fushës.” – u shpreh ministrja.

Duke folur për rëndësinë e sigurisë së informacionit në internet dhe rëndësinë e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit si mbështetës të inovacionit në nxitjen e progresit në të gjitha fushat, ministrja theksoi gjithashtu dhe nevojën për mbështetjen e nxitjen e programeve të shkëmbimit të eksperiencave dhe të bashkëpunimit me biznesin. “Të dhënat personale sidomos kur ato janë sensitive kanë si domosdoshmëri të ruhen dhe përpunohen në mënyrë të sigurt. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zhvilluar disa bashkëpunime me aktorë të ndryshëm në këtë fushë me qëllim edhe rritjen e ndërgjegjësimit për një internet më të sigurt që në arsimin fillor. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit mbështesin inovacionin dhe nxisin progresin në të gjithë sektorët. Por për të arritur progres është e nevojshme përhapja e dijes dhe shkëmbimi i informacionit. Bashkëpunimi i ngushtë nëpërmjet institucioneve akademike dhe sektorit privat, shkëmbimet e praktikave më të mira, premtojnë  përfitime të ndërsjella për të dyja palët. Gjithashtu, përmirësimi i aftësive të pedagogëve dhe të studentëve në këtë drejtim, të ndërthurura me përvojën e industrisë së TIK, rrisin ndjeshëm efikasitetin dhe konkurueshmërinë e tyre në të ardhmen në tregun e punës. Në këndvështrim largpamës këto ndihmojnë në zhvillimin social dhe rritjen ekonomike të vendeve tona. Për këto arsye, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur të marrë pjesë në programet e reja të Bashkimit Evropian 2014-2020. Në programin “Horizon 2020” për t’u krijuar mundësi mbështetjeje komuniteteve të kërkimit shkencor, si  dhe në “Erasmus Plus” për të nxitur bashkëpunimet e universiteteve dhe shkëmbimet e vetë studentëve.” – theksoi në fjalën e saj ministrja Nikolla.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja theksoi edhe njëherë angazhimin e Qeverisë Shqiptare për implementimin e projekteve që mundësojnë dixhitalizimin e sistemit arsimor, duke ftuar të gjithë studentët në fushën e TIK që të bëhen pjesë e praktikave në shkollat ku do të pilotohen këto projekte. “Qeveria Shqiptare synon, nëpërmjet projektit të Dixhitalizimit tërësor të arsimit, ngushtimin maksimal të hendekut dixhital. Ndaj, ju ftoj juve studentët e degëve të teknologjisë së informacionit që praktikën tuaj ta bëni pikërisht në këto shkolla që kanë nevojë, duke dhënë kështu jo vetëm kontribut për nxënësit, por dhe duke përvetësuar eksperiencën reale të tregut të punës. Gjithashtu, do të kemi nevojë për mësues të lëndës së Teknologjisë së informacionit dhe për këtë, ju, studentët e këtyre degëve, do të keni prioritet.” – u shpreh ministrja.

{:}