Ministria e Arsimit dhe Sportit

Sot, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, ishte e pranishme në ceremoninë e inagurimit të Godinës D, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Kjo godinë prej gjashtë katesh, me një kapacitet prej 120 vendesh e përbërë nga gjashtë salla amfiteatër, do të shërbejë për mundësimin e leksioneve për studentët e FSHN-së.

Të pranishëm në këtë aktivitet, ishin edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dekani i FSHN-së, zv/dekanë, pedagogë dhe studentët të shkencave të informatikës, të cilët mes të tjerash zhvilluan një bashkëbisedim me ministren Nikolla, rreth sfidave që zhvillimi i teknologjisë dhe inovacionit ka sot në universitetet e Shqipërisë, por edhe më tej në tregun e punës.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Nikolla, duke i uruar studentët dhe fakultetin për godinën e re, theksoi nevojën që sot tregu i punës ka për profesionistë në fushën e teknologjisë dhe informatikës, dhe nga kjo pikpamje ajo shprehu rëndësinë për të investuar në këtë drejtim. “Që ne të bëhemi pjesë e tregut global, duke qenë konkurentë të denjë të kërkesave që vinë nga këto tregje, duhet të ecim me hapa shumë të shpejtë, dhe për sa i përket kësaj duhet të investojmë shumë dhe në drejtim të teknologjisë, informacionit e komunikimit, dhe jo vetëm në infrastrukturë por edhe në burime njerëzore.”– u shpreh në fjalën e saj ministrja Nikolla.

Në këtë kuadër, znj. Nikolla shtoi se: “Në bazë të analizave të bëra, mbështetja e studentëve dhe stafeve akademike për të promovuar inovacionin është mënyra më e mirë për të përmirësuar qasjen e përgjithshme ndaj së ardhmes, për përmirësimin e inputeve, teknologjisë, tregjeve, kapitalit dhe ekspertizës. Pjesë e punës sonë  është edhe zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme arsimore, për forcimin e partneritetit publik privat, dhe në këtë kuadër jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me biznesin, e, së bashku, të bëhemi iniciatorë të një procesi gjithëpërfshirës në të mirë të zhvillimit dhe progresit të vendit.”

Tek sa u ndal tek programi i Qeverisë në lidhje me reformën në fushën e teknologjisë brenda sistemit arsimor, Ministrja Nikolla theksoi gjithashtu se: “…ne mendojmë se adresimi i investimeve tona të mund të realizohet që tek brezat e rinj që fillojnë të formohen në institucionet arsimore parauniversitare. Në këtë kuadër, me mbështjen e Kryeministrit Rama, po bëjmë përgatitjet për të dixhitalizuar sistemin arsimor dhe për të prezantuar paisje të reja dixhitale në shkollat e mesme të vendit, duke synuar që t’i kemi ato në çdo klasë e në çdo shkollë të mesme deri në vitin 2017. Ndërkohë, po punojmë edhe për sa i përket përmirësimit të nivelit të përdorimit të teknologjisë në shkollat nëntëvjeçare, me objektivin që të prezantojmë përmbajtje dhe paisje dixhitale edhe aty në një fazë të dytë. Reforma në përdorimin e teknologjisë së informacionit do të ofrojë një siguri më të madhe në aftësimin e nxënësit dhe mësuesit drejt sfidave të reja, jo vetëm brenda vendit, por dhe në raport me tregjet ndërkombëtare.  Në kuadrin e projektit tonë kombëtar ‘Shkolla si Qendër Komunitare’, ç’ka do të hapë shkollën përballë komunitetit, prindërit, vëllezërit e motrat më të rritur, do të kenë mundësi të përmirësojnë aftësitë e tyre teknologjike nëpërmjet kurseve që do të mund të ofrohen në laboratorët kompjuterike të shkollës, por edhe të shkëmbejnë mendime mbi sigurinë e fëmijëve të tyre në internet, të ofrojnë ide mbi temat e trajnimit të fëmijëve të tyre, etj.”

Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja Nikolla, ju drejtua dhe njëherë studentëve të degës së informatikës, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e projekteve më të fundit të Qeverisë, duke dhënë kontributin e tyre, por njëkohësisht dhe duke përfituar nga ky angazhim. “Në fakt një nga arsyet më të forta që unë jam sot këtu, është pikërisht, për t’ju komunikuar dhe bërë një thirrje juve, studentëve të teknologjisë së informacionit, që praktikën  tuaj ta bëni, pikërisht në këto shkolla, në “Shkollat si Qendra Komunitre”, duke dhënë jo vetëm kontributin e tuaj për nxënësit, por duke përvetësuar dhe eksperincën reale të tregut të punës. Gjithashtu, ne kemi nevojë për mësuesë të lëndës së Teknologjisë së informacionit, dhe për këtë, ju, studentët e këtyre degëve, do të keni prioritet.” – tha ministrja Nikolla.

Më pas takimi vazhdoi në formën e një diskutimi të hapur mes ministres Nikolla dhe studentëve, ku në thelb të diskutimit zunë vend shqetësimet, sugjerimet dhe pritshmëritë e studentëve në lidhje me reformat që Ministria e Arsimit dhe Sportit po ndërmerr në tërësi.

{:}