Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ditën e shtunë, datë 10 Maj 2014, u çel zyrtarisht Java e Inovacionit, e cila organizohet për herë të parë në Shqipëri nga Ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Në hapjen e kësaj jave, morën pjesë edhe Zv.Kryeministri z. Niko Peleshi, Ministrja e Arsimit e Sportit znj. Lindita Nikolla, si dhe përfaqësues të agjencive e institucioneve specifike të  fushës së Inovacionit në Shqipëri.

Fjale e plotë e ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, në hapjen zyrtare të Javës së Inovacionit:

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi të jem këtu në hapjen e Javës së Inovacionit, organizuar nga Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Inovacioni dhe zhvillimet teknologjike dita ditës po ndryshojnë jetën tonë, duke ridimensionuar dhe rikonceptuar distancën, hapësirat mes nesh, gjithashtu raportin me dijen dhe eksperiencën. Bota po ndryshon dhe me të po ndryshojmë e duhet të ndryshojmë edhe ne.

Ndërsa flasim sot mbi inovacionin, një grup studentësh nga Tirana punojnë për një platformë që menaxhon burimet e dhurimit të gjakut on-line, të tjerë studentë nga Prishtina po punojnë mbi një platformë të re dhe moderne komunikimi,  ndërsa një grup studentësh shqiptarë nga Shkupi dhe Kumanova marrin pjesë me shumë sukses në një garë të organizuar nga NASA, për të udhëtuar më pas në Florida me qëllim vëzhgimin e ngritjes së një anijeje kozmike në hapësirë.

Zgjodha këta shembuj që tregojnë se në kontekstin e inovacionit në të gjithë botën shqipfolëse, me aktivizimin e nxënësve dhe studenteve tanë, inovacioni ka gjetur një terren shumë të përshtatshëm. Talentet e reja, mendjet gjeniale, nuk mungojnë, entuziami i të rinjve dhe të rejave tona për të qenë të suksesshëm është i pashtershëm.

Idetë dhe projektet marrin kuptim, vetëm nëse vlejnë për jetën dhe nëse mundësojnë një bazë të shëndetshme për një formim të vazhdueshëm, formim ky që është motori i vërtetë i progresit. Ne po përpiqemi sot të edukojmë individë të aftë, jo vetëm që të kenë mundësi të shpalosin mendimin e tyre, por edhe të përballen me ndryshime dhe, ç’është më e rëndësishme, të jenë ata vetë burimi i tyre. Po përpiqemi të edukojmë individë brenda një shoqërie që tenton të inovohet me vullnet të shëndetshëm, një shoqëri që planifikon të ardhmen e saj.

Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ju bëj me dije se inovacioni dhe zhvillimi i shkencës janë prioritetet tona kryesore.

Në këtë kuadër, me mbështetjen e Kryeministrit Rama, ne po punojmë për jetësimin e një prej objektivave të Programit Qeverisës  që lidhet me dixhitalizimin në sistemin arsimor, zbatimin e platformave e-learning në procesin e mësimdhënies, duke prezantuar paisje të reja dixhitale në gjimnazet e vendit, duke synuar që t’i kemi ato në çdo klasë e në çdo shkollë të mesme deri në vitin 2017.

Po punojmë edhe për përmirësimin e nivelit të përdorimit të teknologjisë në ciklin nëntëvjeçar, me objektivin që të prezantojmë përmbajtje dhe paisje dixhitale edhe aty, në një fazë të dytë. Reforma në përdorimin e teknologjisë së informacionit do të ofrojë një siguri më të madhe në aftësimin e nxënësit dhe mësuesit drejt sfidave të reja, jo vetëm brenda vendit, por dhe në raport me tregjet ndërkombëtare.

Në kuadrin e projektit tonë kombëtar ‘Shkolla si Qendër Komunitare’, prindërit, vëllezërit e motrat më të rritur, do të kenë mundësi të përmirësojnë aftësitë e tyre teknologjike nëpërmjet kurseve që do të mund të ofrohen në laboratorët kompjuterike të shkollës, por edhe të shkëmbejnë mendime mbi sigurinë e fëmijëve në internet, të ofrojnë ide mbi temat e trajnimit të fëmijëve, etj.

Gjithnjë në këtë kuadër, regjistri elektronik, një mundësi për nxitjen e aftësimit të përdorimit të teknologjisë nga mësuesit, do të ofrojë një rrugë të re komunikimi mes prindit dhe shkollës duke rritur transparencën, sigurinë dhe cilësinë në arsim.

Janë bankat e shkollës dhe auditorët ato që ne synojmë t’i kthejmë në laboratore të rritjes së nivelit të cilësisë, duke i ofruar brezit tonë të ri, profesionistëve të gjeneratës tjetër, të gjitha kushtetet për t’u formuar brenda atyre standardeve që meriton një shoqëri e etur për të ecur përpara.

Reforma që ne po ndërmarrim në sistemin parauniversitar, reformë e cila mundëson harmonizim kurrikular duke integruar më tej hapësirën arsimore shqiptare me zhvillimet bashkëkohore europiane e më gjerë, do të jetësojë kalimin nga kurrikula e tanishme, që bazohet në logjikën e lëndës, tek kurrikula që bazohet në logjikën e kompetencave. Një nga fushat e kompetencave, sipas modelit të ri kurrikular është dhe ajo e “Teknologjisë dhe TIK-u”.

Është kjo, një reformë e mbështetur në standardet e BE-së dhe në eksperiencat më të mira në drejtim të nxitjes të shoqërisë së dijes dhe inovacionit në mësimdhënie. Përgatitja qysh në bankat e shkollës është një element më shumë për të ushtruar presion pozitiv në drejtim të cilësisë në mësimdhënie. Ndërtimi dhe përdorimi nga nxënësit i njohurive të reja dhe kompetencave për jetën dhe punën, në çdo nivel të sistemit arsimor, përbën sfidën kyçe të reformave tona kurrikulare,  përbën objektivin e tyre.

Progresi për një të ardhme më të sigurtë ka nevojë për idetë dhe energjitë e të rinjve dhe të rejave. Këto energji që shkolla gjeneron do të jenë fokusi i gjithë punës sonë në arsimimin e brezave të rinj.

{:}