Ministria e Arsimit dhe Sportit

Duke marrë shkas nga pamjet e transmetuara në datat 13 dhe 14 tetor 2015 në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, i cili zbuloi një skemë korruptive ndaj një studenti me qëllim përfitimin e të drejtës së marrjes së provimeve në Universitetin e Shkodrës përkundrejt mitmarrjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit njofton si më poshtë:

Menjëherë pas transmetimit në emisionin Fiks Fare të këtij skandali të ndodhur pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, MAS ka kontaktuar me Rektoratin e këtij Universiti, që ky institucion të marrë masat e duhura administrative për këtë rast. Nga ana tjetër Ministria e Arsimit ka nisur procedurat për kallëzim penal ndaj pedagogut pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon çdo akt korrupsioni dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo rast të tillë. MAS, vazhdon punën për zbatimin e reformave tërësore në të gjithë sistemin arsimor dhe fton të gjithë studentët, qytetarët, prindërit dhe punonjësit në institucionet arsimore që të mos hezitojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi dhe korrupsioni në sistemin arsimor.

MAS përshëndet dhe falenderon studentin protagonist në këtë video për shfaqje të kurajos qytetare, si edhe gazetarët e emisionit investigativ të televizionit Top Channel për zbulimin e rastit në fjalë, puna e të cilëve është një ndihmë e paçmuar në nismat dhe hapat e ndërmarra nga qeveria në luftën ndaj korrupsionit.