Ministria e Arsimit dhe Sportit

Stop dhunës në shkollat tona

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, gjatë një deklarate për mediat, e cilësoi të turpshëm dhe të paprecedent rastin e dhunës së ushtruar nga mësuesi ndaj nxënësve të një klase, në shkollën 9-vjeçare vartëse “Orzhanovë”, të rrethit Bulqizë.

“Ngjarja e fundit që ka ndodhur në rrethin e Bulqizës, në Ostrenin e Madh është një nga ngjarjet më të shëmtuara që na tronditi të gjithëve. Mësuesi Agim Muça që jepte mësim në klasën kolektive 3 dhe 5, nën efektin e  alkoolit, ka dhunuar rreth 12 nxënës. Një nxënëse ka pësuar një hematomë dhe tashmë është në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut. Prindërit dhe nxënësit e kësaj shkollë, shumë te revoltuar, kanë bërë denoncimin e tyre drejtuar njësisë arsimore vendore dhe organeve të drejtësisë”, deklaroi Malaj.

Zëvendësministrja Malaj e cilësoi rastin në fjalë, si një shfaqje të turpshme dhune për të cilën mësuesi është pezulluar menjëherë nga puna dhe ndaj tij ka filluar procedimi penal.

Në emër të Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila është nisur menjëherë drejt Dibrës, Zëvendësministrja Malaj dënoi ashpër këtë akt të shëmtuar dhune dhe ftoi të gjithë, mësuesit, nxënësit dhe prindërit të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore të fëmijëve dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës.

“Ftojmë të gjithë prindërit, mësuesit, nxënësit, median të mbështesin nismën e MAS ‘Stop dhunës në shkollë’, si rruga e vetme për parandalimin e çdo situate dhune, në mënyrë që të mos kemi më ngjarje të tilla që njollosin figurën e mësuesit”, deklaroi Malaj.
Toleranca e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë zero, ndaj çdo akti dhune në shkollë.