Ministria e Arsimit dhe Sportit

Urimi i Ministres Lindita Nikolla për vitin e ri akademik

 

Në kuadër të nisjes së vitit të ri akademik Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj.Lindita Nikolla, nga Universiteti i Mjekësisë, ka uruar 22 mijë e 100 studentët në të gjithë vendin, të cilët sot ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve.

Në fjalën e saj Ministrja Nikolla theksoi se Universiteti i Mjekësisë është një histori suksesi pasi në procesin më të rëndësishëm të Reformës në Arsimin e Lartë, atë të Vlerësimit të Jashtëm Institucional dhe të Akreditimit, doli si një institucion që përmbush plotësisht standardet e cilësisë dhe u akreditua me kohëzgjatje plot 5 vite.

“Histori suksesi e vjetër kjo e universitetit tuaj por edhe e re fare. Arsyeja pse kam zgjedhur të jem sot këtu lidhet me faktin, që në një nga proceset tona kryesore të Reformës në Arsimin e Lartë, atë të Vlerësimit të Jashtëm Institucional dhe të Akreditimit, Universiteti i Mjekësisë së Tiranës doli si një institucion që përmbush plotësisht standardet e cilësisë dhe u akreditua me kohëzgjatje plot 5 vite. Një shembull i praktikës së mire që universiteti juaj ka me praktikën. Një shembull që duhet të ndiqet nga të gjithë institucionet e larta arsimore në vend. Mora si shembull universitetin tuaj për të treguar një model të mirë por të gjithë, kudo në vend, duhet të përpiqemi me përgjegjësi që çdo vit ta bëjmë më të mire se viti që lem pas, në mënyrë që vitin e ardhshëm krenaria jonë të jetë shtuar kur shohim pas.”

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj.Lindita Nikolla, në fjalën e saj vuri theksin tek rëndësia  e procesit të pranimeve në IAL-të në vend, i cili është i bazuar në transparencë dhe meritë.

“Ky vit shënoi një standard të ri të pranimeve në universitet, duke u bazuar vetëm mbi kritere të shëndetshme sic janë merita dhe transparenca. Sot secili prej jush është dëshmitar për të folur për atë stuhinë e krijuar mbi institucionet e arsimit të lartë dhe sesi ne ia dolëm falë stafeve akademike për të treguar edhe njëherë që kjo është rruga e duhur për të mbështetur meritën dhe për të ndërtuar një sistem të meritës, transparencës, përgjegjshmërisë dhe zbatimit të autonomisë universitare. Në ia dolëm! Ky vit ishte shembulli më ekselent i një procesi që nuk pati asnjë kundërshtim, asnjë problem apo të trembur por përkundrazi pati edhe më shumë transparencë e meritë. Sigurisht, sfidat tona nuk mbarojnë këtu, së bashku ne do të bëjmë edhe më shumë.”

Ky vit akademik përkon edhe me 65 vjetorin e krijimit të Universitetit të Mjekësisë.