Ministria e Arsimit dhe Sportit

Portali i ri “Mësues për Shqipërinë” i jep fund mikut në arsim, shton transparencën dhe besimin për punësim në bazë të meritës.

Portali “Mësues për Shqipërinë” merr dimension të ri dhe formësohet duke shtuar më shumë transparencën dhe besimin, se vetëm përmes tij mund të punësohesh në sistemin arsimor. Gjatë prezantimit të portalit të ri me të njëjtin emër por me përbërje krejt të re, që nisi gati 3 vite më parë, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla nga shkolla e mesme “Sinan Tafaj” në Tiranë siguroi mësuesit se ka marr fund koha e mikut dhe e ndërhyrjeve nga politika për t’u emëruar mësues i fëmijëve shqiptarë. Përmes këtij portal shtoi Nikolla do të ketë më shumë  transparencë,  efikasitet dhe vetë menaxhim të të dhënave për çdo mësues që do të konkurrojë për t’u punësuar.

“E para, transparenca. Mësuesi shikon në kohë reale këndin e mësuesit si është listuar, si është ecuria në listë, kush janë pikët e tij qoftë të testit, qoftë të dosjeve, pra është i informuar çdo çast për listën, ashtu sikurse është i informuar në kohë reale edhe për çdo pozicion të ri që krijohet. Efikasiteti: Mësuesit nuk njoftohen më me telefonin më nëpërmjet telefonit që varet nga vullneti i përfaqësuesve të drejtorive ose të zyrave arsimore, por njoftohet automatikisht ne e-mail-in e vetë, përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Vetë menaxhimi është një tjetër pikë e fortë e portalit të krijuar, sepse në hapësirën personale mësuesi ka mundësinë që të gjenerojë në të shumë nga certifikatat, trajnimet të tjera të dhëna të fituara ndërkohë. Portabiliteti po ashtu, është një pike tjetër e fortë e portalit, sepse ky portal është i lidhur me portalin e trajnimeve dhe kualifikimeve, pra procesit tjetër të mësuesve që janë në sistem, kështu që çdo mangësi që shikohet në testime por dhe çdo pikë e fortë që vërehet nëpërmjet testimeve, mësuesi mund ta konfrontojë me ofrimin e shërbimit kualifikimit nga portali tjetër që është portali i kualifikimit të mësuesve dhe sigurisht është një kualitet krejtësisht i ri, cilësor i bazës së të dhënave për mësuesit për Ministrinë e Arsimit.”- deklaroi Nikolla

Ministrja Lindita Nikolla nxiti mësuesit e rinj të aplikojnë në portal dhe të konkurrojnë, sepse punësimi do të ndodh të bazë te meritokracisë së gjithsecilit, dhe jo sipas ndërhyrjeve përmes partive apo mikut më të fortë. Nikolla rikujtoi edhe një herë se 2018 është viti i mësuesve, ndaj të cilëve do të drejtohet e gjithë vëmendja, që nga trajnimet dhe deri tek rekrutimet e më të mirëve për t’u bërë mësues. Kjo reformë do të nis me fakultetet e edukimit të cilët do të bëhen më tërheqës për të thithur brezin e ri të maturantëve me mesataret më të larta. Portali është i hapur për të gjithë aplikantët nga sot deri më 31 janar për t’u bërë gati më pas në muajin shkurt për t’ju nënshtruar testimit që rendit arritjet e tyre. 

Ja linku ku mund të gjendet portal i ri “Mësues për Shqipërinë”

https://mesuespershqiperine.al/