Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

Krahas përgatitjeve për librat dhe infrastrukturën shkollore, një vëmendje të posaçme këtë vit ndaj nxënësve do të ketë edhe siguria ushqimore. Inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit kanë filluar punën në terren për të kontrolluar bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre pranë institucioneve shkollore. Në inspektimin e disa subjekteve në qytetin e Lezhës ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit e shoqëruar nga zëvendësministrja e Bujqësisë dhe kreu i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit të cilët pas inspektimit komunikuan me administruesit e disa bizneseve duke u kërkuar respektimin e kushteve sipas rregullave në fuqi dhe të tregojnë kujdes maksimal ndaj produkteve që tregtojnë, pasi diskutohet shëndeti i fëmijëve që është prioritet me rëndësi për prindërit por edhe institucionet që ushtrojnë kontrolle.

“Shkolla po fillon dhe gjithë vëmendja është tek nxënësit edhe në një aspekt tjetër që lidhet me sigurinë ushqimore. Ndaj në cilësinë e ministres do doja të falënderoja Autoritetin Kombëtar të Ushqimit të cilët këto ditë përfundojnë inspektimet e para te të gjithë standardeve të bizneseve që operojnë rrotull shkollave. Do të jetë një vëmendje e posaçme edhe në ditët kur fillon shkolla në mënyrë që ne të kemi sigurinë ushqimore për të gjithë gamën e asortimenteve që këto biznese ofrojnë për nxënësit dhe jo vetëm.”

Zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi nga Lezha foli edhe për  një plan të parë të detajuar që AKU ka ndërmarrë për inspektimin e subjekteve deri në fund të muajit tetor.

“AKU është drejt finalizimit të planit të parë të inspektimeve që do të kryej në të gjithë operatorët e biznesit ushqimor të cilët ushtrojnë aktivitetin pranë shkollave, duke pasur në qendër të fokusit nxënësit, duke dashur të jemi të sigurt për sigurinë ushqimore në të gjithë këta operator në përmbushjen e kushteve higjeno-sanitare. Është një operacion që pritet të përfundojë në fillim të tetorit dhe do të vijojë gjatë gjithë vitit 2018-2019.”-deklaroi Gjeçi

 

Inspektimet në terren u kryen në disa subjekte pranë shkollave “Besëlidhja”, “Gjergj Kastrioti” dhe “Hydajet Lezha” të cilat ofrojnë produkte të cilat konsumohen nga fëmijët gjatë orëve të pushimit.