Ministria e Arsimit dhe Sportit

Përshëndetje,

Më lejoni të ritheksoj edhe njëherë atë që në më shumë se një rast e kam theksuar gjatë këtyre ditëve.

Për këtë qeveri dhe për mua personalisht, dëgjimi me vëmendje e respekt i kujtdo që ka diçka për të thënë, na pëlqen apo s’na pëlqen çfarë thonë, është baza e punës dhe e vendimmarrjeve tona.

Sot, por edhe gjatë ditëve të fundit kam takuar grupe të ndryshëm studentësh dhe pedagogësh të cilët kanë shfaqur dyshime, sugjerime apo mbështetje për Paktin për Universitetin.

Unë besoj se kjo është rruga e duhur dhe do të vazhdojë me çdo pedagog, me çdo student dhe në çdo fakultet.

Një grup pedagogësh më kanë nisur një letër përmbledhëse të diskutimeve që kanë pasur me një grup më të madh pedagogësh nëpër fakultetet e tyre.

Në momentin që letra erdhi në zyrën time unë i mora në telefon dhe i ftova për një takim që t’i dëgjoj me vëmendje mendimet e tyre për përmirësimin e organizimit dhe cilësisë së arsimit të lartë publik në Shqipëri.

Pikë së pari, i përgëzova për përpjekjet që kishin bërë për t’i aktivizuar dhe mbledhur asambletë e pedagogëve, që janë organe vendimmarrëse në nivel fakulteti dhe që ato më njoftuan se nuk janë mbledhur asnjëherë për këto tri vitet e fundit. Unë mendoj fuqishëm, se në mënyrë që të ecim përpara, fuqizimi i strukturave ekzistuese demokratike nëpër universitete është mënyra më e mirë për përfshirjen e pedagogëve në diskutim dhe zgjidhjen e disa çështjeve, që ata me të drejtë i nënvizojnë, por që adresa e zgjidhjes nuk është gjithmonë këtu por shpesh herë është tek universiteti.

Me të vërtetë që e përgëzova këtë nismë që kishin ndërmarrë dhe këtë përpjekje serioze për të mbledhur asambletë.

Unë i ftova këta pedagogë për t’u ballafaquar dhe për t’ua shpjeguar në detaje Paktin për Universitetin. Me ta ndamë disa mendime të ndryshme, por ama e bindur,  që kemi një qëllim të përbashkët që është përmirësimi i cilësisë së Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Ata më dëgjuan mua, unë i dëgjova ata, edhe pse nuk u dakordësuam në fund, unë mendoj se kjo është krejt normale.

Ishte një takim që gjithsesi shërbeu për të shuar një sërë keqkuptimesh që disa prej pedagogëve kishin për Paktin për Universitetin.

Ne do të vazhdojmë të dëgjojmë të gjithë, por do të vijojmë të ecim përpara duke udhëhequr.

Është me rëndësi të madhe për ne që shumica e stafeve akademike dhe studentëve janë  mbështetës të Paktit për Universitetin dhe janë pjesëmarrës në dialogun që kemi filluar dhe po na dërgojnë sugjerimet e tyre si ta përmirësojmë këtë dokument që më pas do të jetë dhe një kontratë, unë po besoj fuqishëm, mes qeverisë, stafeve akademike dhe studentëve për të çuar përpara idetë më të mira për Arsimin e Lartë në Shqipëri.

Gjithashtu gjatë këtyre takimeve jemi edhe duke projektuar të gjitha nevojat infrastrukturore në projekte konkrete që më pas do të rezultojnë në përmirësimin e infrastrukturës nëpër universitetet publike në Shqipëri.

Unë me të vërtetë nuk besoj që bojkoti dhe ultimatumet janë mjete të nevojshme në këtë periudhë kur e gjithë vëmendja jonë është tek arsimi i lartë dhe kemi filluar një proces të mirëfilltë të dialogut.

Kështu që, dua të inkurajoj të gjithë të kontribuojnë në rrugën e pakthyeshme që tashmë ka filluar për përmirësimin e eksperiencës studentore dhe cilësisë së arsimit në universitet.

 

Ju faleminderit!