Ministria e Arsimit dhe Sportit

Shahini: “Treguesit e mirë të PISA 2018, rezultat i projekteve të ndërmarra”

 

Në Londër u organizua “Forumi Botëror i Arsimit” (Education World Forum), i cili mblodhi së bashku ministrat e arsimit nga e gjithë bota dhe partnerët zhvillimorë ndërkombëtarë për të shkëmbyer ndërmjet tyre përvojat më të mira.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini, e cila prezantoi reformat arsimore të Shqipërisë në ngjarjen më të madhe ndërkombëtare të arsimit në Londër. Në sesionin plenar me temë “Si duhet të mbajmë vizionin, t’i përgjigjemi rrethanave ndryshuese dhe të zbatojmë planet gjatë kohës që transformojnë arsimin?”, Ministrja Shahini prezantoi fillimisht rezultatet e arritura nga Shqipëria në kuadër të Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2018”:

“Jemi shumë të lumtur teksa shohim që Shqipëria ka bërë progres në matematikë. Nuk jemi aty ku duhet të jemi, por shpejtësia e përmirësimit që vendi ka bërë nga njëri sesion i PISA në tjetrin, po dëshmon qartazi se jemi në rrugën e duhur. Indeksi shumë i ulët për bullizmin – rreth 90% e nxënësve nuk e tolerojnë atë; ndjenja shumë e lartë e përkatësisë ndaj shkollës në krahasim me vendet e tjera të rajonit; si dhe performanca e lartë në rang ndërkombëtar e nxënësve me nivel të ulët socio-ekonomik, janë të tjerë tregues të rëndësishëm”, u shpreh Ministrja Shahini ndërsa përmendi edhe disa prej projekteve që kanë ndihmuar për të arritur këto rezultate:

“Ndryshimi i kurrikulës në vitin 2014-të në një kurrikul të bazuar në kompetencë dhe përshtatja e mësuesve me këtë ndryshim; punësimi i mësuesve në sistemin publik arsimor nëpërmjet meritokracisë; ulja brenda një kohe të shkurtër e numrit të nxënësve nëpër klasa kolektive nga 33 mijë në 22 mijë; rritja vit pas viti e numrit të mësuesve ndihmës duke sjellë si rrjedhojë edhe rritjen e numrit të fëmijëve me aftësi të veçanta në sistemin arsimor; shpërndarja e librave falas për nxënësit e klasave 1-5, si dhe për nxënësit e klasave 6-12 që vijnë nga kategoritë e veçanta etj.”, janë prej disa projekteve të renditura nga ajo teksa nuk la pa vlerësuar edhe një tjetër projekt të lançuar së fundmi, atë të “Parlamentit të Nxënësve”:

“Ky është një projekt që me të vërtetë e pëlqej. Parlamenti i Nxënësve përbëhet nga 2 dhoma dhe përfshin respektivisht nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe shkollave të mesme. Ky entitet shërben tashmë si një organ këshillimor ndaj meje. Pra, jo vetëm njihemi me idetë, projektet dhe programet që nxënësit duan të shohin në shkollat e tyre, por parlamenti shërben si një mundësi e mirë gjithashtu për të testuar projektet e programet që MASR zbaton”, përfundoi fjalën e saj Ministrja Shahini.