Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

 

Më vjen mirë që kjo konferencë po mbahet pas botimit të rezultateve të testit “PISA”.

Ne patëm mundësinë ta studionim atë dhe të bëjmë një diskutim – bazuar mbi fakte rreth çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo – në shtetet tona respektive kur bëhët fjalë për politikat arsimore. Kështu që mund të shkëmbejmë këtu përvojat më të mira.

Jemi të kënaqur kur shohim që Shqipëria ka bërë përmirësim të mëtejshëm në matematikë. Nuk jemi aty ku duam, por shpejtësia e përmirësimit ndër vite po dëshmon qartazi që jemi në rrugën e duhur. Pra, ky ishte një lajm i mirë!

Jemi gjithashtu të kënaqur kur shohim që bullizmi nuk tolerohet në shkollat tona. Kur nxënësit janë pyetur rreth bullizmit, rreth 90% e tyre janë shprehur se nuk e tolerojnë atë në shkollën e tyre ose ndërmjet bashkëmoshatarëve të tyre. Kjo do të thotë se kanë dhënë rezultat fushatat tona ndërgjegjësuese rreth kësaj çështjeje, e cila e bën eksperiencën shkollore shumë negative për ata fëmijë që përjetojnë bullizmin.

Ne mësuam gjithashtu se ndjenja e përkatësisë e nxënësve tanë është shumë e lartë. 90% e nxënësve tanë thanë se kanë një ndjenjë shumë të lartë përkatësie ndaj shkollave të tyre. Kjo është pozitive, sepse nënkupton që ne kemi krijuar shkolla që fëmijët nuk i “urrejnë” për të shkuar. Dhe nëse fëmijët pëlqejnë për të shkuar në shkollë, atëherë shanset janë që ata do të vazhdojnë të mësojnë.

Dhe një lajm i fundit i mirë është që nxënësit më të dizavantazhuar ekonomikisht kanë performuar në 25 përqindëshin e nxënësve më të mirë në rang ndërkombëtar. Kjo nënkupton që ne kemi një sistem egalitar, i cili lejon edhe nxënësit që vijnë nga kushte të vështira ekonomike, të jenë të suksesshëm në mësime dhe të largohen nga varfëria e familjeve të tyre.

Si arritëm deri këtu?

Do të përmend disa projekte të zbatuara gjatë viteve të kaluara që me të vërtetë kanë ndihmuar për të patur këto rezultate që kemi.

Në 2014-tën, Shqipëria ndryshoi kurrikulën e saj drejt një kurrikule të bazuar në kompetenca. Ne nuk ndryshuam vetëm përmbajtjen se çfarë fëmijët mësojnë, por gjithashtu se si kjo përmbajtje u mësohet atyre.

Në 2015-tën kur Shqipëria mori pjesë në testin “PISA”, përmirësimi nga testi i 2012-tës ishte shumë i madh. Ky nuk ishte rezultat i ndryshimit të përmbajtjes kurrikulare, por ishte rezultat i ndryshimit te mënyrës se si mësuesit punonin me njëri-tjetrin për ta zbatuar këtë kurrikulë në klasë.  Ata u bënë më tepër bashkëpunues dhe kjo është përkthyer në mënyrën se si nxënësit mësojnë nëpër shkolla.

Kështu që përmirësimi më i madh që kemi parë në rezultatet e “PISA”, ishte pas prezantimit të kësaj kurrikule.

Ne kemi futur gjithashtu meritokracinë në punësim. Sikurse mendoj që kjo është një problematikë e shumë shteteve pjesëmarrëse këtu, ka patur në të kaluarën nepotizëm në punësimin e mësuesve në sistemin publik arsimor. Ne e kemi eliminuar këtë duke prezantuar nje test digjital që mësuesit bëjnë kur aplikojnë për t’u punësuar në shkollë.

Testi administrohet në mënyrë digjitale. Rezultatet dalin automatikisht dhe mësuesit rankohen bazuar në lëndën dhe rajonin ku janë duke aplikuar për punë. Kjo nënkupton që mësuesi i cili merr më tepër pikë, ka shansin për t’u punësuar i pari. Sipas drejtorëve të shkollave, për këtë projekt që zbatohet tashmë prej 4 vitesh, ka rezultate të vërtetuara, sepse ata janë më të lumtur me mësuesit e punësuar viteve të fundit.

Kemi ulur numrin e klasave kolektive. Jam e sigurtë që edhe kjo është një problematikë për shumë shtete pjesëmarrësë këtu. Në zonat rurale ku numri i nxënësve është shumë i vogël, kemi grupuar nxënësit e moshave të ndryshme në klasa kolektive. Rrjedhimisht, cilësia e arsimit nuk është në të njëjtin nivel siç mund të ishte nëse mësonin me bashkëmoshatarët e tyre.

 

Kemi patur rreth 33 mijë nxënës që mësonin në klasa kolektive, por brenda 2 viteve kemi arritur te ulim numrin e tyre në rreth 22 mijë. Dhe mënyra se si arritëm ta bënim këtë ishte duke u përpjekur të bindim komunitetin që nuk ishin edhe aq të gatshëm të lejonin fëmijët e tyre të udhëtonin 5, 6 apo 10 km më larg për të shkuar në një shkollë tjetër, duke garantuar transportimin, duke folur me komunitetin, duke ja shpjeguar prindërve pse kjo gjë është e mirë për fëmijët e tyre, dhe më kryesorja duke tërhequr mësuesin nga këto shkolla të vogla drejt shkollës pritëse. Tani mësuesi shoqëron nxënësin drejt shkollës së re dhe punon atje. Kemi një rrugë të gjatë përpara për ta ulur këtë numër më tej, por mendoj se kemi bërë një punë të mirë duke ulur këtë numër me 1/3.

Prezantuam në sistem edhe mësuesit ndihmës, të cilët ndihmojnë mësuesin e klasës. E gjithë përkujdesja që fëmijët me aftësi të veçanta kanë nevojë në mënyrë që të arrijnë potencialin e plotë të tyre brenda sistemit arsimor, sigurohet tashmë nga mësuesi ndihmës. E dimë që kjo po funksionon, sepse numri i fëmijëve me aftësi të veçanta është rritur brenda shkollave tona.

Arsimi është falas në Shqipëri dhe tani jemi duke shpërndarë gjithashtu libra falas. E ndjejmë që kjo është e rëndësishme për familjet, jo vetëm për ato familje të dizavantazhuara ekonomikisht, por gjithashtu edhe për familjet e shtresës se mesme. Kjo ndihmon ato të planifikojnë siç duhet buxhetin e tyre në aspekte të tjera të edukimit të fëmijëve. Dhe ka ndihmuar konkretisht të arrijmë barazinë për të cilën fola më përpara.

Është gjithashtu edhe një projekt tjetër të cilin unë e pëlqej. Kemi themeluar “Parlamentin e Nxënësve”. Ai ka dy dhoma: për shkollën e mesme të ulët dhe të mesme të lartë. Të gjithë nxënësit janë përfshirë në zgjedhje. Ky parlament shërben esencialisht si këshilltari im. Pra, nuk prezantojnë vetëm ata idetë, projektet dhe programet që duan të zbatohen nëpër shkolla. Por edhe ne përdorim parlamentin si një vend ku mund të testohen disa prej programeve e projekteve tona që duam të prezantojmë nëpër shkolla.  Pra, dëgjoj nga nxënësit dhe ata ndihen më të fuqizuar sepse zëri i tyre dëgjohet.

Por jo gjithçka është rozë. Ka disa sfida dhe dua të përmend tre:

Sfida më e madhe u dëshmua edhe nga rezultatet e testit “PISA”, ku pamë se kemi “rrëshqitur” pak në shkencë. Dhe ka të bëjë përsëri me kurrikulën, ku ndryshimin më të madh e kemi bërë në mënyrën se si mësohen shkencat. Kështu që kemi lëvizur nga mënyra e Evropës Qendrore – Lindore e mësimdhënies së lëndëve shkencore, e mbështetur më shumë në teori dhe formula, në shkencë të zbatueshme.

Por mësuesit nuk ishin gati! Mendoj se më e rëndësishmja në arsim është se si universiteti i aftëson mësuesit. Që nuk përputhet me ndryshimet kurrikulare në sistemin arsimor parauniversitar dhe pritjet që kemi ndaj mësuesit në shkollë. Pra, ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim!

Ne gjithashtu kemi një sfidë në ndërtimin e aftësive të nevojshme digjitale. Nuk është problemi vetëm te mungesa e infrastrukturës. Por te hendeku i madh midis mënyrës sesi studentët përdorin teknologjinë dhe mënyrën se si mësuesit e tyre ua mësojnë atyre teknologjinë. Pra, ky është një tjetër hendek që duhet ta kapërcejmë!

Sfida e tretë, e cila prapë nuk mendoj se është unike për Shqipërinë, është kurrikula për “edukimin mediatik”. Ne na duhet të ndërtojmë aftësitë e nevojshme për nxënësit që ata të jenë në gjendje të kuptojnë dallimin mes lajmeve të rreme dhe lajmeve të vërteta.  Këto janë aftësi jetike që nuk janë vetëm të domosdoshme për procesin e tyre arsimor dhe edukimin e mëtejshëm, por janë thelbësore për jetën e tyre.

Jam e lumtur që jam këtu dhe që më jepet mundësia në këtë konferencë të shpreh para jush disa nga sukseset dhe sfidat me të cilat po përballemi.

Isha gati të anulloj pjesëmarrjen time në dhjetor, ngaqë kemi qenë shumë të mërzitur për arsye se disa nxënës humbën jetën për shkak të tërmetit shkatërrimtar që mori 51 jetë, shkatërroi mijëra shtëpi, dhjetëra shkolla dhe spitale.

Unë dua të përdor këtë mundësi për të falënderuar disa nga ministrat që janë këtu, të cilët kanë dhënë kontribute, duke na ndihmuar në përpjekjet e rindërtimit. Ndihma juaj është thelbësore për shërimin tonë të shpejtë!

Në përmbyllje, unë po dëgjoja me vëmendje dje fjalën e të gjithë kolegëve të mi ministra dhe përfaqësuesve të industries, duke u përpjekur të ndërtonin një marrëdhënie më të mirë midis sektorit arsimor publik dhe të gjithë prodhuesve të mjeteve të ndryshme teknologjike didaktike. Dhe po mendoja se si një gjë që nuk ka ndryshuar me zhvillimin e teknologjisë për qindra vjet dhe zbatohet në mënyrë të njëjtë si në vendet me rezultate më të mira arsimore ashtu edhe në ato me rezultate më të dobëta, është ambienti ku zhvillohet mësimi. Pavarësisht se ku ndodhemi, kemi klasa me nxënës, libra të hapura para tyre dhe mësues që i udhëzojnë ata.

Duket e pamundur që ky ambient të ndryshohet. Ndaj mendoj se teknologjia e disponueshme didaktike dhe pedagogjike mund të integrohet në arsim vetëm nëse arrin t’i shërbejë mënyrës se si organizohet mësimi dhe nuk përpiqet vazhdimisht ta ndryshojë atë.

 

###