Ministria e Arsimit dhe Sportit

Trajnuesit e platformës anti-plagjiaturë “Akademia” kanë nisur trajnimin për përfaqësuesit e IAL-ve publike në vend mbi monitorimin, administrimin dhe kontrollin e punimeve shkencore.

Programi arrin përmes proceseve të vazhdueshme të kërkimit të pasurojë databazën duke kërkuar artikuj, dokumente dhe literaturë digjitale. Procesi i gjenerimit të informacioneve kryhet përmes programeve për grumbullim të informacionit dhe procesimit të tyre, ndërsa raporti i plagjiaturës gjenerohet përmes krahasimit të fjalive dhe kalkulimit të ngjashmërisë së tyre.

Ky softuer kontrolli i bazuar në web i siguruar nga qeveria shqiptare do t’i vihet në dispozicion IAL-ve dhe do të mundësojë detektimin e punimeve me plagjiaturë.  Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, kontrolli anti-plagjiaturë është një hap tejet i rëndësishëm në sigurimin dhe kontrollimin e integritetit shkencor të akademikëve shqiptarë.

Platforma “Akademia” ka krijuar një arkivë gjigande përgjatë 3 viteve të kaluara, e cila vazhdon të popullohet çdo ditë e më shumë. Gjithashtu, “Akademia” ka siguruar qasje në arkiva të njohura ndërkombëtare për të rritur cilësinë e kontrollimeve të dokumenteve.