Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

Arritjet mesatare sipas gjinisë në nivel kombëtar tregojnë se vajzat kanë rezultate më të larta krahasuar me djemtë.

Sikurse ndodh çdo fillim viti, pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) u zhvillua analiza e rezultateve të maturës shtetërore të vitit të kaluar. Vlerësimet e “Maturës Shtetërore 2019” ishin planifikuar për në fund të vitit 2019, por u anuluan për shkak të tërmetit të nëntorit.

Qëllimi kryesor i kësaj analize është njohja e nivelit të arritjeve të nxënësve maturantë të sistemit arsimor kombëtar në tërësi, bazuar në rezultatet e një vlerësimi të jashtëm të standardizuar, si dhe krahasimi i tyre me arritjet vjetore të nxënësve gjatë vitit shkollor 2018-2019.

Një ndër gjetjet kryesore të kësaj analize është diferencimi më i mirë i nxënësve bazuar në arritjet e tyre si rezultat i rritjes së pikëve totale të testeve të “Maturës Shtetërore” nga 50 pikë në 60 pikë. Ndërkohë, raporti vëren se arritjet mesatare të nxënësve gjatë procesit mësimor janë më të larta krahasuar me arritjet në provimet e “Maturës Shtetërore 2019”.

Aplikimi i korrigjimit në mjedis elektronik ka rezultuar i suksesshëm në eliminimin e gabimeve njerëzore të korrigjuesve dhe rritjen e cilësisë së korrigjimit.

Arritjet mesatare sipas gjinisë në nivel kombëtar tregojnë se vajzat kanë rezultate më të larta krahasuar me djemtë.

Ndërkohë, arritjet e nxënësve që kanë ndjekur shkollën në qytet janë më të larta, kundrejt atyre që e kanë ndjekur shkollën në fshat, gjë që tregon që unifikimi i cilësisë së arsimit për zonat rurale mbetet sfidë.