Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

 

Kam kërkuar sot të adresoj Kuvendin, jashtë rendit të ditës, sepse mendoj që është e rëndësishme të flasim këtu për abuzimin dhe ngacmimin seksual të të miturve, të shënojmë dhe njohim përgjegjësinë tonë kolektive si shoqëri, si organizata qeveritare publike por edhe organizata joqeveritare, që nuk kemi arritur të mbrojmë të gjithë fëmijët nga abuzimi dhe dhuna siç ata e meritojnë, dhe të punojmë së bashku për të fuqizuar të gjithë zinxhirin e parandalimit dhe reagimit për rastet e abuzimit me të mitur.

Unë jam shumë e trishtuar për secilin rast që nuk është arritur të parandalohet dhe dua t’ju jap disa fakte që shpresoj hedhin dritë mbi këtë realitet të hidhur e zemërthyes, të cilin nuk po arrijmë ta përthekojmë në mendjet tona për shkak të keq-raportimit mediatik, qëllimisht të zhurmshëm dhe të pandjeshëm.

Nga janari 2019-të, strukturat arsimore janë njohur me disa raste të denoncimev. Janë 5 denoncime për ngacmim apo abuzim seksual me të mitur nga abuzues që fëmijët kanë takuar kontekstin e shkollës, si dhe mbi 11 raste të tjera të ngacmimit apo abuzimit të nxënësve tanë nga familjarë apo njerëz të tjerë që ka në komunitet.

Gjysma e rasteve janë zbuluar nga stafi i shkollës dhe denoncuar po nga ata në organet e drejtësisë. Nxënës, të cilët janë abuzuar në shtëpi apo në lagje, dhe ka qenë pikërisht një mësues i vëmendshëm që ka parë se diçka nuk është në rregull, diçka nuk shkon, dhe ka marrë masa me të gjithë strukturën e shkollës për të identifikuar abuzimin dhe denoncuar atë. Të gjithë këto raste kanë të përbashkët një fakt të rëndësishëm: të gjithë abuzuesit kanë qenë persona të afërt apo të njohur nga fëmijët: babai, vëllai, kushëriri, stafi i shkollës apo nxënës.

Dhe është ky fakt që bën kaq vështirë të dukshme këto raste, sepse abuzimi ndodh nga persona që fëmija ka në afërsi dhe fshehja e tyre për një kohë të gjatë është shumë lehtë e mundshme.

Për rastet kur abuzuesi ka qenë një person i takuar në shkollë, tashmë ekzistojnë protokolle të veprimit të shpejtë që ndërmerren menjëherë:

  • pezullim dhe shkarkim i personave të përfshirë, të cilët ndiqen penalisht;
  • pezullim dhe më pas shkarkim i personave që janë përgjegjës për të siguruar mirëqenien e nxënësve në shkollë (drejtuesit e shkollës, psikologët, mësuesit kujdestarë) derisa të bëhet një investigim dhe vërtetohet nëse ata kanë qenë neglizhent apo jo;
  • hetim i thelluar i gjendjes së përgjithshme në shkollë, duke intervistuar nxënësit dhe komunitetin për të ndërhyrë në parandalim të një rasti të tillë në të ardhmen dhe për ta ndryshuar kulturën në shkollës, dhe shërbim psikosocial për të gjithë nxënësit që mund të kenë përjetuar një abuzim të tillë.

Për rastet kur abuzuesi ka qenë në familje apo komunitet, janë marrë të gjitha masat më të rënda ndëshkimore ndaj abuzuesve nga organet e drejtësisë.

Kodi penal është i qartë, procedurat janë të qarta. Por, është gjithashtu e plotësisht e qartë që kjo nuk mjafton. Ndëshkimet nuk mjaftojnë që të parandalojnë abuzimin, sepse duhet të kuptojmë se abuzimi ndodh në një kontekst të një patriarkalizmi të thellë, ku gratë dhe vajzat objektifikohen, ndërsa nga burrat dhe djemtë pritet një sjellje grabitqare dhe abuzuese.

Ma gjeni një grua që nuk është ngacmuar seksualisht, nuk i është hedhur ndonjë fjalë në rrugë, në punë apo në shkollë, me qëllim që të ofendohet, turpërohet apo objektifikohet. Dhe përkundër faktit që ngacmimi seksual është i dënueshëm me kod penal nga 1 deri në 5 vite burg për të rriturit apo deri në 7 vite burg për të miturit.

Përkundër faktit që së paku gjysma e popullatës është ngacmuar seksualisht së paku një herë në jetë, prapë, prapë, prapë, kjo praktikë vazhdon nga burrat dhe vazhdon të mos raportohet nga gratë. Dhe është ky kontekst që mundëson dhunën ndaj vajzave dhe grave, si dhe abuzimin e tyre seksual.

Keni dëgjuar për termin “krim pasioni” si term që media e përdor për të raportuar mbi vrasjet e grave nga burrat e tyre? Nëse vritet një burrë, ky është një krim i rëndë. Nëse vritet një grua nga partneri i saj, ky është krim pasioni dhe e gjithë shoqëria kërkon arsyet e vrasjes tek sjellja e gruas.

“Ajo ka bërë diçka që e ka bërë burrin xheloz dhe ka çuar tek vrasja”, dhe menjëherë me t’u përdorur këto fjalë lehtësohen rrethanat e vrasësit dhe u çohet porosi burrave dhe djemve që po, “me ligj mund edhe të dënoheni, por shoqëria ju jep të drejtë mbi trupat e grave dhe vajzave”.

Natyrisht që ne kemi përgjegjësi institucionale ta ndryshojmë kulturën në shkollë, por secili nga ju keni përgjegjësi individuale të ndryshoni kulturën në rrethin tuaj.

Grupi i Organizatave Jo-Qeveritare (OJQ) për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve na kishin nisur një e-mail ku kërkojnë që MASR të prononcohet për raste individuale të abuzimit me të mitur.

 

******

 

Tani, dua të bëj të qartë një gjë: as sot, as dje dhe as kurrë, për sa jam unë ministre, MASR nuk do të prononcohet për rastet individuale të abuzimit dhe të kontribuojë në ri-abuzimin që po i bëni viktimave duke diskutuar detajet e abuzimit dhe duke identifikuar ato.

Strukturat e saj, gjithmonë do të flasin publikisht për fenomenin, do të marrin masa parandaluese dhe ndëshkuese, do të mbështesin fëmijët dhe të rinjtë me mjete që iu duhen në jetë për t’u mbrojtur.

Të njëjtën gjë pres edhe nga OJQ-të që merren me mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Ndërprisni menjëherë daljen në media me informacion identifikues për personat që ju do të duhej t’i mbroni.

OJF-të që paguhen nga buxheti i shtetit tonë dhe shteteve donatore për të mbrojtur gratë dhe fëmijët, për të trajnuar mësuesit e psikologët, si dhe për të raportuar denoncimet e dhunës dhe abuzimit.

Tek lista e organizatave që na kishin shkruar ishte edhe organizata partnere të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) që paguhen nga buxheti i shtetit për të menaxhuar linjën e denoncimeve anonime të dhunës, që mesa kuptoj, janë gjithmonë në dijeni të disa rasteve që denoncohen aty, por për çfarëdo arsyeje informacioni nuk shkon në institucione shtetërore që të merren masat e nevojshme, ndaj kemi kërkuar hetim urgjent për protokollet që zbatohen nga OJF-të që paguhen nga buxheti i shtetit për të ofruar shërbim publik për mbrojtjen e fëmijëve.

MASR ka kërkuar gjithashtu që Urdhri i Psikologut të raportojë për trajnimet që ka zhvilluar për çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual, me psikologët, sidomos për ata që punojnë në gjykata dhe ata që punojnë në shkolla.

U kemi dërguar bashkive kriteret që duhet të plotësojnë rojet dhe stafi sanitar që na sjellin nëpër shkolla. Duhet të kenë parasysh bashkitë që stafi që punon në shkollë duhet të jetë me integritet.

Kemi kërkuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) që urgjentisht të ndërmarrë masa ndaj mediumit që kishte botuar të plotë dëshminë policore të një mituri. AMA nuk është OJQ që të japë deklarata. Është institucion mbikëqyrës i mediave që duhet të shqiptojë gjoba, kur haptazi shkelen ligjet dhe rregullat e raportimit mediatik.

Kërkoj nga AMA që të mos presë nxitje nga ne, por të merret aktivisht në mënyrë prioritare me mbrojtjen e të miturve, të abuzuarit seksualisht që po abuzohen për së dyti nga mediat, të cilat po shpalosin detaje identifikuese për viktimat, që është shkelje e hapur e të drejtave bazike të fëmijëve.

E dini se çfarë na kanë thënë të gjithë nxënësit tanë që janë ballafaquar me ngacmim apo abuzim seksual, pa përjashtim: “Ju lutemi, na mbroni anonimitetin! Ju lutemi, na mbroni nga gazetarët sepse nuk duam të dalim në televizor”. Dhe ata kanë të drejtë që tregimin e tyre ta tregojnë kur ata janë gati, dhe jo në mënyrën grabitqare se si media e raporton.

Dhe unë kam frikën se arsyeja që nuk ka më shumë denoncime është ikërisht nga frika se do përfundojnë detaje identifikuese në televizor.

 

Para se të kaplonte Shqipërinë pandemia e koronavirusit, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kemi filluar një investigim serioz të të gjitha hallkave parandaluese dhe reaguese në këto raste, dhe kemi ndërtuar një platforme për të cilën do të kërkoj ribuxhetim dhe do e sjellim në parlament, dhe na duhet edhe mbështetja juaj, në mënyrë që të përmirësojmë gjithë këtë sistem.

Ne si ministri e Arsimit kemi vendosur të dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve social nëpër shkolla, dhe të nisim një fushatë informuese për nxënësit për të drejtat e tyre se si i mbron rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu dhe kodi penal.

Por dua të përsëris, KJO NUK MJAFTON. Nëse duam të parandalojmë ngacmimin, abuzimin, dhunën dhe diskriminimin e fëmijëve, grave dhe grupeve të brishta, duhet që secili nga ne të punojë për të luftuar sistemin patriarkal që denigron grupet e brishta dhe mundëson abuzimin.

 

https://www.facebook.com/1980444878879282/posts/2589294857994278/