Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini ka reaguar ndaj absurditetit të opozitës, e cila ditën e sotme ka protestuar kundër testeve kombëtare të Maturës Shtetërore.

 

“Ndoqa me keqardhje protestën pranë ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nuk besoj të ketë ndodhur ndokund tjetër që nxënësit të protestojnë për “provimet e vështira”! Megjithatë, keqardhja për nxënësit “protestues” më vjen bashkë me revoltën ndaj nxitësve të tyre! Fatkeqësisht, nxitësit janë publikisht të afishuar dhe nuk janë zëdhënës opinionesh dosido. Ata janë opozita politike e vendit! Që është një absurditet unik: opozita nxit dhe mbështet protestë kundër testeve kombëtare!!! Opozita stimulon “lehtësimin” e dhënies së notave për nxënësit!!! Po mbase këtu s’ka asgjë të re, përderisa kjo opozitë ishte dje qeveria e notave false, diplomave false, universiteteve false, provimeve false, promovimeve false”, shprehet znj. Shahini.

 

Ndër të tjera, ajo nënvizon se “Provimet Kombëtare hartohen nga ekspertë provimesh” dhe thekson:

 

“Unë i besoj Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) kur thotë se sivjet provimet janë më të lehta se kurdoherë më parë sepse ndodhin pas një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe prandaj janë konceptuar vetëm me alternativa – PA TEMAT që janë zhvilluar në kushte shtëpie. Dhe kjo, vërtetohet lehtësisht në fund, kur të mblidhen të gjitha rezultatet dhe nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë se sa njohuritë e nxënësve, atëherë QSHA BËN RISHPËRNDARJE TË PESHËS SË PIKËVE PËR ÇDO NOTË. Por, këto çështje teknike s’kanë as lidhje e as vend për debate politike dhe jo më për protesta opozitare”.

 

Në fund, Ministrja Shahini shprehet:

 

“QSHA ka adresuar kërkesat në lidhje me provimet e maturës që ishin protokolluar në Ministri. Ndërkohë, ne do të kallëzojmë çdo shpifje që opozita ka publikuar në lidhje me maturën sivjet. Besoj se edhe kjo do të shërbejë në edukimin e të rinjve, duke nisur nga të rinjtë e forumeve politike, për të mësuar se shpifja është gënjeshtër e dënueshme me ligj e jo liri fjale për çfarëdo kundërshtie qytetare apo opozitare”.

 

https://www.facebook.com/1980444878879282/posts/2595951817328582/