Ministria e Arsimit dhe Sportit

FJALË:

  1. Roshi ju falënderoj për thirrjen në këtë interpelance

Do ju mundësoj që përmes 20 minutave që më janë vënë në dispozicion dhe përmes përgjigjeve mbi pyetjet tuaja që keni kërkuar edhe më parë të shpalos para kuvendit jo vetëm reformat që janë ndërmarrë në 7 vitet e fundit, por edhe ato që planifikojmë të bëjmë në të ardhmen e afërt me mësimin online dhe gjithë këto projektet që duhet të zhvillojmë sivjet.

Pyetët për kriteret e punësimin të mësuesve.

Mësuesit që nga viti 2014 punësohen përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Vetëm më të mirët punësohen në shkollë. Çfarë siguron portali? Portali siguron transparencë dhe cilësi.

Kriteret për punësim janë të qarta:

Përveç edukimit formal, pra një mësues duhet të ketë bachelor dhe master përkatës, duhet të ketë praktikën e punës (të ketë punuar në shkollë 1 vit) dhe duhet të ketë licencën e mësuesit.

Pastaj për kritere shtesë të cilat e çojnë drejt punësimit një mësues, është gjuha e huaj, trajnimet shtesë që ka marrë për metodologjitë e punës, dhe më e rëndësishmja për mësuesit e rinj është nota mesatare me të cilën ka mbyllur studimet në universitet.

 

Si asnjëherë më parë, u është dhënë mundësi dhe prioritet mësuesve të rinj që të punësohen në shkollë. Paralelisht nga viti 2017, kemi filluar të zhvillojmë politikën e rritjes së notës mesatare për nxënësit që pranohen në studime në degët që çojnë në mësuesi. Vendet me sisteme të zhvilluara arsimore kanë vendosur që vetëm personat që janë më së miri të arsimuar mund të bëhen mësues. Pra, më të mirët shkojnë në mësuesi tani për shkak të rritjes së notës mesatare dhe më të mirët e më të mirëve e portalit ‘Mësues për Shqipërinë’ pastaj punësohen në shkollë. Kemi pezulluar rritjen e vazhdueshme të notës mesatare sivjet e kemi shtyrë për një vit për shkak të gjendjes së pandemisë, që t’iu japim shans maturantëve që të mos stresohen më shumë seç janë stresuar këtë vit por nga viti 2021 vetëm ata që kanë notën mesatare 8 e më shumë mund të pranohen në degët e mësuesisë. Me këto politika po pastrohet dhe fuqizohet figura e mësuesit e cila ishte nëpërkëmbur nga qeverisja e kaluar. Hiqeshin mësuesit e mirë që të punësoheshin mësuesit militantë partiakë

 

Në vitin 2018, projekti ‘Mësues për Shqipërinë’ u shndërrua në ligj. Pra nuk mund të ndryshohet më. Komisioni Europian jo vetëm në takime të drejtpërdrejta, por edhe në raportet e tyre ka thënë që ky është një projekt i jashtëzakonshëm për të luftuar nepotizmin në punësimin në shkolla, një problem që nuk ekziston vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit dhe gjetkë. Është një projekt jashtëzakonisht i mirë që do të prezantohet edhe si një projekt që mund të zbatohet edhe nëpër vendet e tjera. Për 5 vite të zbatimit të këtij projekti, janë punësuar mbi 8 mijë mësues, pra 1/3 e të gjithë trupës mësimore që kemi nëpër shkolla janë mësuesit më të mirë nga ata që kanë aplikuar për vite të ndryshme në lëndë të ndryshme dhe kjo është e dukshme. Janë më të hapur ndaj metodave më të reja të punës, janë më të hapur ndaj dixhitalizimit etj

 

Kur vendosëm që të kalojmë gjithë sistemin e arsimit parauniversitar online brenda natës për shkak të pandemisë që pamundësoi shumë shkuarjen në shkolla, mësuesit ishin fleksibël të gatshëm, përdorën metoda kreative dhe nuk lanë nxënësit e tyre që të mbeten pas me mësime.

 

Kanë incizuar mbi 1.2 milion minuta video amatore për të shpjeguar njësitë mësimore, dhe ishin shumë të gatshëm që të dalin edhe në Radio Televizionin Shqiptar për të shpjeguar leksionet për vitet e ndryshme dhe lëndë të ndryshme që nxënësit të mund të kapin hapin.

 

Kemi shumë mësues të mirë në shkollat publike sot. Ata janë shtylla e zhvillimit te arsimit në Shqipëri dhe jam e bindur që falë tyre ne do ta fitojmë edhe betejën kundër Covid-19 pa mbetur mbrapa me mësime, pa e humbur një vit shkollor, sepse siç po shihet do kemi sfidë pandeminë edhe në vitin tjetër.

 

Kjo ndërlidhet edhe me pyetjen tuaj të dytë që keni shtruar: cilat janë politikat prioritare që ne udhëzojmë Drejtoritë Arsimore t’i zbatojnë.

 

Respektimi i portalit është kryesorja. Respektimi i mësuesve pasi të punësohen në shkollë është kryesorja. Pra DPAP përmes DRAP-eve dhe përmes ZVAP-eve e bën këtë punë. Riorganizimi i drejtorive arsimore është bërë që të arrihen 3 synime kryesore:

 

  • E para: është shkëputur e gjithë struktura nga ministria e arsimit, që ministria të ketë mundësi të bëjë politika arsimore dhe te mbikëqyrë punën e drejtorive rajonale.
  • E dyta: të shpërndahet shërbimi në territor. Pra sot kemi më shumë zyra në territor dhe shërbimin e marrin mësuesit dhe nxënësit direkt në zonat ku ata jetojnë.
  • Dhe e treta, sot Zyrat Arsimore mbështesin mësuesin në zhvillimin profesional. Pra do të ketë vlerësues përmbajtësorë që shkojnë dhe inspektojnë në klasë dhe ndihmojnë mësuesit me zbatimin e kurrikulës dhe me trajnimet e nevojshme që ata duhet të kenë.

Është një riaorganizim që ka ndryshuar rrënjësisht që ka ndryshuar mënyrën si po zbatohet arsimi parauniversitar në shkolla dhe si po përmirësohet cilësia e arsimit parauniversitar.

 

Një politikë tjetër për të cilën i kemi orientuar drejtoritë që ta zbatojnë me përpikëri janë edhe kriteret për punësimin e oficerëve të sigurisë.

Oficerët e sigurinë në shkolla nuk janë thjesht oficer. Janë psikologë, punonjës socialë, persona që kanë studiuar drejtësi, persona që kanë studiuar ndonjë fushë tjetër dhe që kanë marrë një trajnim nga akademia e sigurisë të punojë në shkollë për të ndihmuar në mbajtjen e rregullit dhe sigurinë e territorit të shkollës.

 

Keni pyetur cilat masa sigurie janë marrë për të siguruar territorin e shkollës. Kjo nuk është një punë që bëhet vetëm nga ministria e arsimit.

Pjesa jonë ka të bëjë me shtimin e oficerëve të sigurisë në shkolla, që kanë qenë një ndihmesë shumë e madhe për drejtorët e shkollave. Kemi dyfishuar numrin e psikologëve dhe punonjësve psiko-social, për të krijuar atmosferën e një shkolle të sigurt dhe të hapur për të gjithë nxënësit.

Ka edhe ministri të tjera, institucione të tjera që kanë përgjegjësi për të siguruar territorin e shkollës.

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zbaton “Planin Kombëtar mbi Kontrollin e Drogës, 2019-2023”;

 

Policia e Shtetit zbaton projektin “Policimi në komunitet” që të jetë sa më afër ankesave të ndryshme që mund të vijnë nga nxënësit dhe mësuesit.

 

Pushteti vendor që vendos rojet, i cili ka policinë bashkiake që sigurohet që veprimtaritë tregtare të mos zhvillohen në ambiente shkollore.

 

E gjithë koj punë bëhet në koordinim mes MASR, Drejtorisë së Arsimit Parauniversitar dhe të gjitha institucioneve të tjera që merren me sigurinë në shkolla.

 

Ju keni bërë një pyetje shumë të rëndësishme për cilësinë e arsimit parauniversitar: Çfarë po bëjmë për adresimin e analfabetizmit funksional tek të rinjtë.

 

Testi PISA mat aftësinë e komunikimit dhe aplikimit të leximit tek nxënësit 15 vjetarë.

 

Ndër vite Shqipëria ka marrë pjesë në këtë test dhe tregon që Shqipëria ka arritur një rezultat të mirë në përmirësimin e gjendjes me analfabetizmin funksional. Në vitin 2012 kanë qenë diku 62% zë 15 vjeçarëve që kanë qenë pjesë e kësaj kategorie, ndërsa në vitin 2018 ky numër ka rënë në 47%. Por nuk është mjaftueshëm. Pra ne duhet të bëjmë shumë më shumë.

 

Ajo që është bërë, janë ndryshimet në kurrikulën e re e cila zbatohet në të gjithë shkollat, për të gjitha vitet e sistemit arsimor parauniversitar.

Gjuha shqipe dhe letërsia zënë 8-9 orë deri në klasën 10, ndërsa tek arsimi i mesëm i lartë është vendosur gjuha shqipe pasi ishte hequr fare nga kurrikulat shkollore. Pra bëhej vetëm letërsi. E kemi kthyer gjuhën si domosdoshmëri për ta bërë këtë ndryshim të rëndësishëm tek nxënësit për përdorimin e gjuhës së parë.

 

Nuk mund të bëhet përmirësim në komunikim dhe në aftësinë e leximit pa lexuar. Leximi nuk mund të bëhet nëse nuk ka libra. Kjo është arsyeja pse kemi shtuar buxhet dhe kemi filluar që të ndryshojmë edhe kriteret për zgjedhjen e librave jashtëshkollorë që i çojnë nëpër biblioteka. Përveç librave që kërkohen të lexohen nga lënda e gjuhë-letërsisë, autorët që janë të reflektuar nëpër librat shkollorë, ne kemi bërë edhe një sondazh me nxënësit që ata të na tregojnë se cilat janë librat që atyre u pëlqejnë të lexojnë, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të rrisim edhe dëshirën për leximin. Kështu që sot në bibliotekat shkollore dërgojmë edhe libra që kërkohen nga sistemi arsimor për tu lexuar, por edhe libra që nxënësve realisht u pëlqejnë të lexojnë dhe janë rekomandime të vetë nxënësve.

 

Si përzgjidhen tekstet mësimore dhe si hartohen kurrikulat

 

Kurrikula e re që është sot në zbatim është një kurrikul e përbashkët me Republikën e Kosovës.

Është hartuar nga një projekt në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe i përmbahen standardeve më të larta të ndërtimit të kompetencave dhe aftësive tek nxënësit. Këto pastaj janë marrë nga grupet e punës, pedagogë të shquar, albanologë, historianë, por edhe të fushave të tjera për lëndët e tjera. Dhe janë zbërthyer në plane mësimore, të cilat më pas janë dërguar tek shtëpitë botuese dhe ata kanë hartuar librat e rinj. Librat përzgjidhen me grupe mësuesish, që i shohin të gjitha manual skriptet që sjellin shtëpitë botuese dhe tre më të mirat certifikohen nga Ministria e Arsimit. Për tu përdorur në shkolla.

 

Keni pyetur, pse nuk zgjidhen tekste që përmbajnë të vërteta historike për Shqipërinë.

 

Pyetja është e shtruar gabimisht por kam mirëkuptim për të. Tekstet natyrisht që përmbajnë të vërteta historike.

 

Kam përshtypjen se po pyesni pse nuk po i vendoset më shumë peshe te disa tema që ju mund të konsideroni që janë të rëndësishme për zhvillimin e frymës kombëtare.

 

Për mua është shqetësuese që në librat e historisë nuk e trajtojmë 30 vjeçarin e fundit betejën për liri, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Nuk e trajtojmë në mënyrë të thelluar. Nëse marrim parasysh të 90-at në Kosovë, rezistenca paqësore si dhe rezistenca e armatosur ka qenë unike. Ka qenë një nga aktivitetet më të rëndësishme për kombin që ka ndodhur gjatë asaj kohe. Ka kaluar i gjithë sistemi arsimor në ilegale. Kemi mbajtur mësim nëpër bodrume.

Është organizuar i gjithë sistemi shëndetësor në shtëpi private sepse shteti serb refuzonte t’i ofronte këto shërbime për shqiptarët. Kjo ishte rezistenca paqësore. Pastaj u nis rezistenca e armatosur që sot ka rezultuar në themelimin e republikës së Kosovës.

 

Kemi rreth 1.2 milion fëmijë dhe të rinj që kanë lindur pas 1995 që nuk e dinë këtë gjë. Dhe këta janë ata që po bëhen të rriturit që do të punësohen dhe do të qeverisin. Është shumë e rëndësishme që të adresohen këto tema dhe që një histori të cilën e kemi përjetuar edhe unë edhe ju, ta mësojmë në shkollë. Por kriteret për mënyrën se si paraqitet historia e vonë në librat shkollë janë të tjera. Ata synojnë me KE me rekomandimet e fondacioneve që merren me kriteret më të mira për të zhvilluar librat e historisë, ata sugjerojnë që është mirë që historia e vonë të mos shtjellohet në shumë detaje përderisa është ende delikate dhe e ndjeshme që të diskutohet në shoqëri.

Ka patur propozime të që ketë moratorium. Të mos diskutohet fare historia e 30-40 viteve të fundit. Kjo natyrisht nuk zbatohet por është reduktuar shumë ajo që diskutohet në shkolla.

 

Ju pyesni pse nuk pasqyrohet Mithat Frashëri në librat e historisë.

 

Dhe kjo nuk qëndron. Çdo figurë historike trajtohet në kuadër të ngjarjes historike.

 

Edhe figura e Mithat Frashërit është trajtuar në këtë mënyrë. Veprimtaria dhe figura e tij në tekstet e historisë trajtohet në ato klasa ku studiohet “Historia e Shqiptarëve”, në klasën e 9-të; klasën e 11-të dhe në klasën e 12-të.

 

Veprimtaria e Mithat Frashërit zë vend në tekste të ndryshme të këtyre klasave, në temat që kanë në fokus:

 

Kongresin e Manastirit (1908);

 

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912); Shqiptarët në Greqi (1913-1939); Interesimin e shtetit amë për shqiptarët jashtë kufijve (1920-1939); etj.

 

Leksionet e filozofisë politike në kurrikulat e shkollës së mesme

 

Lënda e filozofisë zhvillohet si histori filozofie në klasën e 11-të të shkollës së mesme.

 

Politika është një ndër fushat prioritare të mendimit filozofik dhe ajo pasqyrohet brenda mundësive dhe kufizimeve të kurrikulës, në të gjithë kurrikulën e lëndës së filozofisë.

 

Michel Montaigne, Campanella, Montesquieu, David Hume, Thomas Hobbes, John Locke, Enciklopedistët dhe Volter, Jean-Jacques Rousseau – janë ndërkohë disa prej filozofëve politikë që studiohen në kurrikulat e shkollës së mesme.

 

Pse nuk bëhen leksionet për patentën e makinës ne kurrikulat e shkollave

 

Pyetja që do ju shtroja juve është: pse të behën në shkollë?

 

Unë nuk kam hasur ndonjë model arsimor që përfshin këto leksione

 

Janë institucionet e specializuara që ofrojnë këtë shërbim shumë më mirë se ai që do të ishte ofruar në shkollë.

 

Edukimi rrugor është pjesë e kurrikulës së lëndës “Qytetaria”, në klasën 1-5 dhe në klasën 10, ku studiohet si një kapitull më vete, këmbësori, çiklisti dhe motoçiklisti, si përdoruesit e rrugës deri në moshën 18 vjeç.

 

Me ndërhyrjen e Ministrisë se Brendshme po punohet në:

 

Rishikimin dhe pasurimin e kurrikulës së edukimit rrugor në shkollë;

 

Hartimit të materialeve trajnuese për mësuesit;

 

  1. Emrat e institucioneve arsimore

 

Emërtesat e institucioneve arsimore bëhen me vendime të këshillave bashkiakë dhe jo nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

 

MASR mund të ndërmarrë masa vetëm në rast të vendosjes së ndonjë emri që është diskriminues, përndryshe janë këshillat bashkiakë ata që vendosin.

 

Për sa i përket mbështetjes arsimore të fëmijëve në nevojë, duhet të theksohet se kjo qeveri ka themeluar sistemin arsimor më gjithëpërfshirës deri më sot.

 

Përkundër presionit financiar të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemisë COVID-19 që rëndon mbi buxhetin publik, ne vazhduam me fanatizëm politikat e gjithëpërfshirjes duke zgjeruar edhe skemën mbështetëse të librave falas.

 

Të gjithë nxënësit deri në klasën e 12-të që vijnë nga situata të brishta socio-ekonomike, do të mbështeten me libra falas.

 

Vitin e ardhshëm shkollor, kësaj skeme përfituese i shtohen të gjithë nxënësit e klasave të 6-ta dhe 7-ta duke arritur në mbi 250 mijë numrin e nxënësve përfitues (të gjithë nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të).

 

Nxënësit romë dhe egjiptianë, sikurse nxënësit me aftësi të kufizuara apo nxënësit përfitues të asistencës sociale – grupe tashmë të përfshira ne skemën e librave falas – kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.

 

Kjo na brengos akoma më shumë tani që gjendemi në situatë pandemie.

 

Mësuesi ndihmës: për herë të parë edhe me licencë, që ndihmon nxënësit me AK të arrijnë potencialin e vet maksimal në shkollë

 

Vlen të theksohet se rritja e numrit të mësuesve ndihmës nga viti në vit është shoqëruar pozitivisht edhe me rritjen e numrit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor parauniversitar.

 

Prindërit përpara nuk i kanë dërguar në shkollë fëmijët me AK por sot janë mbi 1,000 mësues ndihmës të cilët shërbejnë rreth 4,000 nxënësve me AK.

 

Gjithëpërfshirja nënkupton gjithashtu edhe arsimin e hershëm.

 

Shqipëria sot, në krahasim me rajonin, është vendi me numrin më të madh të fëmijëve të përfshirë në kopshte – rreth 80% e të gjithë fëmijëve të moshave 3-6.

 

Kjo ka një impakt të madh social në punësimin e grave në Shqipëri

 

Edhe pakon e paktit për universitetin e kemi ruajtur me fanatizëm: të gjithë studentët që janë në nevojë kanë përfituar bursat e studimit gjatë kohës së pandemisë, dhe të gjithë të tjerët përgjysmimin e tarifave siç edhe është premtuar.

 

Ky ishte një vit tmerrësisht i vështirë shkollor.

 

Tërmeti i 26 nëntorit nxori jashtë funksionit plot 96 shkolla në të gjithë vendin, duke prekur rreth 40 mijë nxënës.

 

Si rrjedhojë, i gjithë buxheti i shtetit u vu në funksion të rindërtimit të këtyre shkollave.

 

Ministri i Rindërtimit dhe Bashkia Tiranë deri në fund të vitit 2020-të planifikojnë të rindërtojnë në total 58 shkolla (20 shkolla në Tiranë & 38 shkolla të tjera jashtë Tirane), duke prekur drejtpërdrejtë rreth 30 mijë nxënës.

 

Pra, duke filluar nga dhjetori i këtij viti, këta 30 mijë nxënës do të fillojnë të rikthehen në shkollat e tyre – plotësisht të rinovuara dhe me standardet më të larta e bashkëkohore.

 

Ndërkohë, të gjithë nxënësit e zhvendosur kanë përfituar transport falas për tek shkolla ku janë vendosur përkohësisht.

 

Nxënës në nevojë janë edhe 20,000 nxënësit që mësojnë në klasa kolektive.

 

Kemi transferuar shumë prej tyre në shkolla të tjera ku mësojnë me bashkëmoshatarë.

 

Por nga ky vit, në bashkëpunim me UNICEF dhe Vodafone Albania, do të bëjnë një pjesë të madhe të mësimit online dhe përmes RTSH shkolla.

 

Nisma ‘bëjmë detyrat e shtëpisë’ ka patur efekt gjithashtu në rritjen e barazi në shkollë. Nxënësit qëndrojnë pas shkollë dhe mbyllin mësimet me mbikëqyrjen e mësuesve.

 

  1. Keni pyetur gjithashtu se pse pakti për universitetin ka në fokus vetëm publikun e jo privatin.

 

Këtu kemi një dallim të madh ideologjik. Ne si qeveri e majtë besojmë në publiken dhe besojmë se buxheti publik duhet të shkojë drejt një sistemi egalitar ku shanset për progres janë të barabarta për të gjithë: që do të thotë se shtresa e mesme dhe e ulet ekonomike duhet domosdoshmërisht të marrë më shumë mbështetje.

 

Arsimi privat është i shtrenjtë dhe familjet që kanë mundësi ekonomike janë ato që shkollojnë fëmijët aty.

 

Do bënte sens që ne të jepnim bursa për studentë ekselentë që duan të studiojnë në arsimin privat, nëse ky i fundit të ishte jo-fitimprurës.

 

Përderisa janë biznese private fitimprurëse s’kam se si t’i dërgoj lekët e buxhetit të shtetit atje.

 

Po, i licencojmë dhe i japim mundësi në tregun e lirë familjeve të zgjedhin.

 

Por nuk mund t’i financojmë. Në punësimin e studenteve ekselentë në administratën publike, i kemi përfshirë edhe të diplomuarit nga privati por nuk u kemi dhënë përparësi.

 

Përparësi u japim studenteve në të cilët kemi investuar.

 

Për fund, ky ka qene një vit jashtëzakonisht i vështirë. Dy tërmete, pandemia, humbëm jete nxënësish, humbëm shkolla, humbëm edhe mësim.

 

Sepse përkundër përpjekjeve që të zhvillojmë mësimin në kushte shtëpie, nuk mund të themi që ka qene njësoj.

 

Por dua t’i falënderoj të gjithë: mësues, nxënës e prindër, pedagogë e studentë që treguan një qëndrueshmëri të hatashme në gjithë këtë periudhë, që më jep bindjen se do përballojmë me sukses edhe vitin tjetër shkollor i cili po duket se do jetë po aq sfidues sa ky që lam pas.

 

Faleminderit