Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja Kushi: “Mirënjohje për mësuesit tanë! Janë armata kryesore në përballimin e sfidës globale të pandemisë”

 

 

Në Ditën Botërore të Mësuesve, e njohur si e tillë nga UNESCO që prej vitit 1994, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka zgjedhur të bëjë disa telefonata surprizë me mësues të qyteteve të ndryshme, të cilët kanë kontribute të veçanta në fushën e arsimit si: mësues tashmë në pension me përvojë të dalluar, mësues ndihmës, mësues kontributorë për “RTSH Shkollë”, apo ndonjë prej tyre që sot ka edhe datëlindjen.

 

Në tekstin shoqërues të videos së publikuar në rrjete sociale ku Ministrja Kushi shfaqet duke bashkëbiseduar, ajo nënvizon se “telefonatat surprizë kishin në qëllim shprehjen e respektit ndaj secilit që komunikova, e nëpërmjet tyre të përcjell mirënjohjen për çdo mësuese e mësues në Shqipëri që ka kontribuar e vazhdon të kontribuojë në arsimimin e brezave”.

 

Ndër të tjera, Ministrja Evis Kushi shprehet se këtë vit shkollor relativisht të vështirë për shkak të pandemisë, “mësuesit tanë janë shtylla dhe armata kryesore që do të na ndihmojnë për të përballuar me sukses këtë sfidë që ka prekur gjithë globin”.

 

“Pa sakrificën dhe vlerat e tyre, nuk mund të përballet asnjë sfidë në shoqëri. Jemi me fat që ju kemi dhe me zemër ju uroj Gëzuar Ditën Botërore të Mësuesve!” – mbyll postimin e saj, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj. Evis Kushi.

 

 

https://www.facebook.com/103464624802314/posts/134514498363993/?vh=e&extid=0&d=n