Ministria e Arsimit dhe Sportit

Më 16 tetor, Shkolla e Drejtorëve do të nisë programin 9-mujor të trajnimit të detyrueshëm përgatitor për brezin e 2-të të aplikantëve për drejtorë në detyrë dhe aspirantë për drejtues shkolle. Plot 217 drejtues aktualë dhe aspirantë nga qytetet si Tirana, Durrësi dhe Elbasani – gati 5 herë më shumë se pjesëmarrësit në brezin e parë – do t’i nënshtrohen trajnimeve intensive nga ekspertë vendas e të huaj me qëllim zhvillimin e kapaciteteve të tyre menaxheriale.

Ky fakt u bë i njohur në aktivitetin e zhvilluar sot pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ku morën pjesë Ministrja Evis Kushi, Anëtarë të Bordit Drejtues dhe Bashkë-Drejtorë Ekzekutivë të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ekspertë të huaj, Alumni të Shkollës së Drejtorëve etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Kushi nënvizoi se programi në fjalë mbështetet tek një prej modeleve më të mira ndërkombëtare duke rritur më tej kualifikimin dhe efiçiencën e drejtorëve aktualë dhe aspirantëve për drejtues të institucioneve shkollore në një kohë të pazakontë kur pandemia ka mbërthyer gjithë globin.

Znj. Kushi nënvizoi gjithashtu se projekti “është njëkohësisht një udhërrëfyes shumë i mirë në plan afatgjatë për politikat e gjithëpërfshirjes dhe zhvillimin e mëtejshëm të reformave e prioriteteve që MASR  ka”.

Në fund, Ministrja Kushi nuk la pa përmendur dhe falënderuar edhe Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), mbështetësi i këtij projekti dhe një prej partnerëve kryesorë të MASR në fushën e arsimit:

“Falë mbështetjes edhe të këtij projekti, AADF dëshmon edhe njëherë se është një prej partnerëvë më të rëndësishëm të MASR për një sërë projektesh me vlerë në fushën e arsimit. Mirënjohje për kontributin tuaj të vazhdueshëm!” – tha ajo.

https://www.facebook.com/103464624802314/posts/136914731457303/?extid=0&d=n