Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

Me kërkesën e një grupi psikologësh dhe punonjësish socialë në platformën e bashkëqeverisjes është zhvilluar një interpelancë me fokus “zhvillimin e mëtejshëm të shërbimit psiko-social” dhe “çfarë risish do të sjellë Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në të ardhmen”.

 

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka sqaruar se puna e punonjësve psiko-social në këtë periudhë pandemie bëhet më e rëndësishme se asnjëherë më parë. Ajo theksoi se rritja e vazhdueshme e numrit të psikologëve dhe punonjësve të shërbimit psiko-social vjen si reflektim ndaj problematikave që janë konstatuar në mënyrë të vazhdueshme në shkollat tona.

 

Znj. Kushi ka dhënë detaje në lidhje me risitë që sjell urdhri nr. 313/2020 në shërbimin psiko-social.

 

Ky urdhër sjell dyfishim të numrit të punonjësve në sistem, dhe shtim të tyre për nxënësit me aftësi të kufizuara në shkollat normale, për nxënës të kthyer nga emigracioni, viktima apo viktima të mundshme të trafikimit, romë/egjiptianë, etj.

 

Një tjetër pikë është edhe përmirësimi dhe qartësimi i procedurës për emërimin, pezullimin dhe largimin nga shërbimi të punonjësit të shërbimit psiko-social, duke bërë që të rekrutohen punonjës cilësorë dhe në mënyrë transparente, ku ka vlerësim me dosje, testim me shkrim dhe intervistë të strukturuar.

 

Ky urdhër përmirëson gjithashtu edhe përshkrimin e punës së drejtuesit dhe supervizorit të njësisë së shërbimit psiko-social, mënyrën e emërimit të tyre në përshtatje me strukturat e reja arsimore vendore dhe integron aspekte të ndryshme të këtij shërbimi.

 

Shërbimi psiko-social përbën një përparësi edhe në strategjinë e re të arsimit 2021-2026. Ndër të tjera parashikohet sigurimi i kushteve optimale të punës për këtë shërbim, ku në shkolla do të përgatiten dhoma të veçanta dhe do të sigurohen pajisjet e nevojshme për psikologët dhe punonjësit socialë.

 

Përparësi gjithashtu do të ketë edhe zhvillimi në vazhdimësi i kapaciteteve të punonjësve të shërbimit psiko-social, si dhe hartimi i protokolleve dhe instrumenteve të standardizuara të punës për këtë shërbim.

 

https://www.facebook.com/kushievis/posts/141962854285824