Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, publikoi historinë e mësuese Mimozës, për të cilën tha se përfaqëson traditën më të mirë të mësuesisë së gërshetuar me aplikimin e metodave moderne të mësimdhënies, në përgjigje të politikave frymëzuese të MASR.

Mësuese Mimoza për rreth 37 vite ka punuar si mësuese biologjie në disa shkolla të Shkodrës, në zonën e Shalës së Dukagjinit, Bajzë të Malësisë së Madhe dhe Oblikë.

“Mësuesi, notën nuk duhet ta përdorë si mjet presioni për të rritur angazhimin e nxënësit, por duhet ta përdorë si stimul për të ngjallur besimin dhe dëshirën për të mësuar, tek nxënësit”, është parimi i mësuese Mimozës, e cila prej vitesh të tëra respektohet nga mbarë komuniteti i nxënësve, prindërve dhe kolegëve në Shkodrën e traditës dhe kulturës.

“Ajo gëzon shkallën e parë të kualifikimit, ka përgatitje shumë të mirë shkencore, përdor metoda bashkëkohore të mësimdhënies dhe ka një komunikim shumë të dashur, stimulues e gjithëpërfshirës me nxënësit. Me pak fjalë, me punën dhe arritjet e saj, mësuese Mimoza përfaqëson traditën më të mirë të mësuesisë të gërshetuar me aplikimin e metodave moderne të mësimdhënies, në përgjigje të politikave frymëzuese të MASR”, shkruan Kushi.