Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi bashkë me përfaqësues të Delegacionit të BE në Shqipëri ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga gjimnazi “Ismail Qemali” në Tiranë në prag të 9 Majit, Ditës së Evropës.

Ajo shprehet se ka ngelur shumë e impresionuar dhe e emocionuar nga super organizimi i nxënësve të talentuar dhe mësuesve të përkushtuar të kësaj shkolle, i cili është shoqëruar me materiale të ndryshme vizuale në çdo ambient të shkollës, mini-ekspozita, diskutime të hapura, aktivitete sportive, etj., të cilat sipas Ministres Kushi përcillnin proceset historike të BE dhe mesazhin se Shqipëria i përket familjes së madhe të vlerave evropiane.

Në bashkëbisedimin e hapur të zhvilluar në këtë shkollë, Ministrja Kushi nënvizoi se: “Ky 9 Maj është më i veçantë se çdo vit tjetër, sepse Shqipëria ndodhet shumë më pranë BE. Kemi bërë një rrugëtim të gjatë deri më tani, por jemi shumë pranë mundësisë konkrete për të qenë pjesë e këtij rrugëtimi të gjatë, të vështirë, por që është i vetmi destinacion për Shqipërinë, Evropa”, duke shtuar se BE është projekti njerëzor dhe politik më i jashtëzakonshëm deri më sot, sipas të cilit popujt me gjuhë, tradita e kultura të ndryshme jetojnë të gjithë së bashku në paqe dhe krijojnë sinergji për zhvillim të përbashkët.

Ndër të tjera, Znj. Kushi shtoi se “ne të gjithë dhe sidomos të rinjtë, duhet ta ndjejnë veten me fat që jemi pjesë e Evropës. Duhet ta ndjejmë veten me fat që kemi lindur në mes të Evropës dhe që kemi mundësi konkrete dhe reale për ta realizuar aspiratën dhe ëndrrën tonë të përbashkët të Shqipërisë evropiane. Kjo ëndërr e jona mund të realizohet këtu! Këtë dua t’i them nxënësve, të rinjve dhe të rejave! Vërtet BE na krijon avantazhin e madh që ne të lëvizim të lirë në Evropë, por ne këtë avantazh duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht për ta ndërtuar Evropën këtu. Këtë nuk na e bën vetëm qeveria, as vetëm Evropa, por këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku. Të gjithë bashkë duhet të punojmë maksimalisht që Evropa të jetë këtu!”.

Në fund, Ministrja Kushi u shpreh se i admiron të gjithë të rinjtë e të rejat që shkojnë dhe studiojnë në Evropë, në universitetet më të mira evropiane, por admiron akoma më shumë ata që shkojnë, studiojnë dhe pastaj kthehen këtu për të dhënë kontribut, pikërisht për të realizuar këtë aspiratë, ëndrrën e Shqipërisë evropiane.

 

 

https://www.facebook.com/103464624802314/posts/265759985239443/?d=n