Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi organizoi sot një takim me drejtuesit e njësive të shërbimit psiko-social nga të gjitha zyrat vendore arsimore dhe ekspertë nga Ministria e Arsimit, për të diskutuar disa masa të reja që kanë të bëjnë me përmirësimin e sjelljes së punonjësve arsimorë dhe të nxënësve.

Në një status në rrjete sociale ministrja Kushi thekson se pas takimit me drejtuesit e njësive të shërbimit psiko-social nga të gjitha zyrat vendore arsimore si dhe konsultimeve me ekspertë e Ministrisë së Arsimit, është vendosur që së shpejti të nisë vlerësimi psiko-social fillestar dhe periodik për çdo mësues në sistemin arsimor;

Më tej ministrja Kushi shprehet se do të ndërmerret një fushatë e re ndërgjegjësimi “Stop Dhunës në Shkollë” për parandalimin dhe trajtimin e çdo rasti, me fokus nxitjen e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe gjithë komunitetit shkollor për të denoncuar dhunën apo abuzimin.

Ajo ka kërkuar angazhimin e të gjithëve për të respektuar me përpikmëri të gjitha aktet ligjore, nënligjore dhe rregulloret në shkolla ku parashikohet largim nga detyra për çdo rast dhune apo abuzimi nga punonjësit arsimor.

Këto masa vijnë menjëherë pas disa rasteve të ndodhura në dy shkolla dhe të bëra publike ditët e fundit.

 

https://www.facebook.com/kushievis/posts/441963277728693