Ministria e Arsimit dhe Sportit

Pas një pune të gjatë e intensive është finalizuar nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor midis Shqipërisë dhe Italisë, pjesë e së cilës janë fushat e Arsimit dhe Sportit. Për sa i përket arsimit, kjo marrëveshje mbështet veçanërisht politikën prioritare të ndërkombëtarizimit të universiteteve, për diploma të përbashkëta e të dyfishta, njohje të titujve të dyfishtë ose të përbashkët të studimit, shkëmbim pedagogësh e studentësh, si dhe projekte kërkimore shkencore të përbashkëta.

Në një status të publikuar në rrjete sociale, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi thekson se marrëveshja parashikon gjithashtu promovimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe italiane në institucionet arsimore të të dyja vendeve. Risia kryesore është promovimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në shkollat italiane, jo vetëm në komunitetet arbëreshe, por edhe si gjuhë e huaj fakultative jashtë kurrikulare edhe në zona të tjera.

Në fushën e Sportit, marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit duke promovuar shkëmbime dhe aktivitete të përbashkëta midis sportistëve dhe federatave sportive të të dyja vendeve.

 

https://www.facebook.com/story.php?story_fbid=487321406526213&id=100057450729783