Ministria e Arsimit dhe Sportit

Të dashur Maturantë!

 

Ju nesër keni provimin e parë dhe unë nuk mund të rrija pa ju përcjellë një mesazh mbështetje dhe urimi për këtë moment, i cili ka një peshë të rëndësishme për të vazhduar në fazën tjetër, atë të studimeve të larta.

Kthimi në normalitet pas një periudhe të lodhshme pandemie, na ndihmoi që gjatë këtyre muajve të jemi të gjithë më të fokusuar tek matura shtetërore. E di që keni punuar shumë, bashkë edhe me mësuesit tuaj për të plotësuar njohuritë e marra gjatë mësimit online dhe për tu përgatitur me anë të konsultimeve, programit orientues dhe testeve paraprake.

Këtë vit, siç ju kemi informuar, ka disa risi, të cilat dua t’i ndaj me ju edhe një herë që t’ju inkurajoj t’i shfrytëzoni.

 

Sidomos ju që do të studioni në Shqipëri duhet të jeni shumë optimistë:

  1. Sepse cilësia e arsimit të lartë në vend, falë procesit të ndërkombëtarizimit, po rritet çdo ditë.
  2. E ndërkohë, pak ditë më parë kemi përcaktuar programet e studimit ‘prioritet kombëtar’, të cilat do t’ju ofrojnë jo vetëm përjashtim nga tarifat, por edhe mbështetje financiare me bursa studimi.
  3. Shumë programe tashmë janë më të aksesueshme për ju që do të ndiqni studimet e larta.

Por mos harroni, kur të bëni zgjedhjen, përveç prirjeve dhe pasionit tuaj, konsideroni edhe ato programe për të cilat ka nevojë tregu i punës dhe zhvillimi i vendit, me qëllim rritjen e mundësive të punësimit në të ardhmen.

Por hapi i parë drejt universitetit janë provimet e Maturës. Do t’ju këshilloja që të punoni të qetë e më besim në vetvete, por besim edhe tek procesi. Pasi edhe ne kemi punuar fort për të marrë të gjitha masat që nga hartimi i testit, kushtet e nevojshme në qendrat e provimit, e deri tek vlerësimi me saktësi maksimale, gjithçka që ju të jepni maksimumin tuaj.

Dhe në fund, mos harroni, ju lutem respektoni rregulloren gjatë provimit, jo vetëm për veten tuaj, por edhe në respekt të shokëve, shoqeve, e maturantëve e tjerë.

Shumë faleminderit të gjithë mësuesve dhe prindërve për mbështetjen që ju kane dhënë, jo vetëm për këtë proces, por gjatë gjithë periudhës së shkollimit tuaj.

Suksese dhe mbarësi të gjithëve!