Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Arbërie Nagavci, Kryetarin e Komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini, etj. morën pjesë në ceremoni e veçantë për prezantimin e Abetares së Përbashkët Unike të organizuar në Gjakovë.

 

Gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi theksoi se një ndër punëve më të bukura që janë bërë mes Shqipërisë dhe Kosovës për arsimin, padyshim është Abetarja e Përbashkët Unike.

“Unë jam shumë e nderuar sot të jem këtu mes jush në këtë ditë që do të mbahet mend gjatë në kujtesën tonë, jo thjesht si dita e parë e shkollës në Kosovë, por si dita kur të gjithë vogëlushët tanë, në Shqipëri, në Kosovë, kudo, mësojnë me të njëjtin tekst të abetares gjuhën tonë të bukur shqipe”.

Ajo nënvizoi se në 8 muaj është arritur të realizohet kjo nismë, jo thjesht për një abetare të re, por një abetare shumë më cilësore që i reflekton më së miri të gjitha zhvillimet arsimore, kulturore, sociale madje edhe digjitale.

“Kjo abetare nuk është thjesht libri i parë më i dashur, më i çmuar, më i paharruar për të gjithë, por kjo abetare do të fshijë kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është libri që do të na bashkojë më shumë dhe do të forcojë më shumë dashurinë për njëri-tjetrin. Sepse jemi një komb, kemi një gjuhë” – tha znj. Kushi.

 

Duke përmendur sakrificat me të cilat është shoqëruar gjatë gjithë historisë gjuha shqipe Kushi tha se ndjehet krenare që sot pas kaq shumë vitesh, sakrificash dhe përpjekjesh që gjuha shqipe mësohet jo vetëm në Shqipëri, në Kosovë e çdo vend tjetër ku ka shqiptarë, por mësohet edhe në universitete ndër më prestigjiozet në botë.

“Së fundmi gjuha shqipe do të mësohet në universitetin e Harvardit. Një arritje e jashtëzakonshme që e konsolidon pozicionin e gjuhës shqipe mes gjithë gjuhëve të tjera më të vjetra të botës”- u shpreh ministrja.

“Në kohërat që jetojmë kur teknologjia avancon çdo ditë, kur gjuha e huaj bëhet domosdoshmëri, për të studiuar dhe për të punuar, sfida për ta ruajtur të pastër gjuhën shqipe është një sfidë që sidomos ne mësuesit e kemi detyrim ndaj brezave. E kemi detyrim dhe ndaj të parëve tanë por e kemi detyrim dhe ndaj fëmijëve tanë. Është një sfidë që fillon që fillon në klasë të parë. Është një sfidë që fillon pikërisht me abetaren, aty ku hidhen themelet, aty ku edukohen dhe brumosen për herë të parë vlerat”.

“E dashur Arbërie, ne kemi bërë punë të mira dhe do të bëjmë shumë të tjera, por unë besoj që edhe ti e mendon si unë që kjo do të jetë krenaria jonë më e madhe. Sado punë të tjera të bëjmë, abetarja e përbashkët do të jetë krenaria jonë më e madhe. Dhe sidomos në prag të 110 vjetorit të pavarësisë kjo abetare merr akoma më shumë vlera. Kjo nuk është thjesht një abetare, kjo është abetarja e dashurisë dhe krenarisë kombëtare.”- ka përfunduar Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.