Ministria e Arsimit dhe Sportit

FJALA E MINISTRES EVIS KUSHI ME MATURANTËT NË ELBASAN

Përshëndetje!

Shumë faleminderit për mikpritjen. Ne menduam të organizojmë sot një takim me maturantë dhe mësues në kuadër të përgatitjeve për maturën shtetërore për vitin 2023.

Kemi zhvilluar disa takime paraprake dhe do të zhvillojmë edhe të tjera në qytete të ndryshme të vendit, në mënyrë që të marrim masat e duhura, vendimet e duhura që matura këtë vit të jetë sa më e suksesshme.

Kur flasin për maturën shtetërore tre janë ato momentet kryesore. E para është hartimi i testit, e dyta administrimi i procesit dhe e treta vlerësimi i testit, korrigjimi.
Ju tashmë jeni në dijeni që ne kemi marrë një vendim të rëndësishëm për provimin e automatizuar që do të jetë pas provimeve të maturës, për të gjithë ata maturantë që kanë vendosur të zgjedhin programin “Mjekësi e Përgjithshme”. Në programin “Mjekësi e Mërgjithshme” të gjithë e dimë shumë mirë që shkojnë më të mirët, ata që kanë mesataren më të lartë, konkurrenca është shumë e lartë dhe këtu ndjeshmëria është shumë e lartë dhe këtu edhe një 0.1 pikë përbën diferencë shumë të madhe.

Kemi menduar t’i japim 30% peshë në vlerësim. Pra 70% do të jetë nga notat e tre viteve dhe provimeve të maturës, sipas formulës që është sot në fuqi, ndërsa 30% do ta ketë provimi i automatizuar.
Kishim një diskutim në fillim edhe që të ishte 50 me 50, por pastaj menduam që meqë është viti i parë, po pilotohet si metodologji, kështu që menduam që fillimisht të jetë pesha 30% pastaj përsëri bashkërisht do ta diskutojmë dhe do ta vendosim nëse do të vazhdojë përsëri kështu apo duhet të ndryshojë.

Fondi i pyetjeve tashmë është duke u përgatitur. Qendra e Shërbimeve Arsimore ka ngritur një komision ku kemi ftuar mësuesit më të mirë nga e gjithë Shqipëria dhe në fund fare në datën 31 dhjetor, ky fond pyetjesh do të jetë publik, i hapur për të gjithë ju. Pyetjet do të jenë për lëndët biologji, kimi dhe fizikë, të cilat lidhen më shumë programin “Mjekësi e Përgjithshme”.

Por ama maturantët do të kenë mundësi që t’i shohin, t’i konsultojnë, t’i referohen në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për këtë provim.
Së bashku mund të diskutojmë detajet se si do të zhvillohet ky provim dhe prandaj këtu jemi bashkë me drejtoreshën e Shërbimeve Arsimore.
Jemi shumë të hapur për çdo lloj sugjerimi që lidhet me mënyrën e administrimit të procesit.

Arsyeja tjetër pse jemi sot është edhe për të diskutuar për prodhimet e tjera të maturës, sepse ky është vetëm një provim, por ndërkohë një peshë shumë të rëndësishme kanë edhe provime të tjera.

Ne kemi menduar këtë vit që edhe për provimet e tjera të kemi disa ndryshime, në të tre ato aspektet që thashë pak më parë, edhe në hartimin e testit, edhe në administrimin e procesit, edhe në korrigjimin apo vlerësimin e testit.
Atëherë në lidhje me hartimin e testit. Ne kemi menduar që të heqim fletë-përgjigjen. Kemi gjykuar edhe pas konsultimeve me maturantët, mësuesit, me ata që merren drejtpërdrejt në qendrën në shërbimeve arsimore. Është një proces që merr më shumë kohë tek maturantët dhe rrit rrezikun për gabime.

Për sa i takon administrimit të procesit. Ne kemi menduar këtë vit që provimet të zhvillohen në qendra të mëdha, pra jo në ato klasat e vogla, ku pastaj fillojnë edhe pakënaqësinë nga vetë nxënësit, apo dhe ndonjë abuzim, sepse janë salla të vogla të mbyllura dhe është shumë e vështirë të bëhet monitorimi dhe administrimi i procesit.

Ndërkohë që ne këtë vit kemi menduar që të zgjedhim salla të mëdha, hapësira të mëdha ku të jetë vendosur një numër më i madh maturantësh dhe natyrisht një numër më i madh mësuesish, monitoruesish, administruesish ku rreziku për të patur problematika që lidhen me komunikimin me njëri-tjetrin, komunikimin me mësuesin, apo ndonjë parregullsi tjetër që është e ndaluar në rregullore, është më i ulët.

Këto salla të mëdha, këto qendra të mëdha natyrisht do të jenë të monitoruara edhe me kamera që pastaj çdo pretendim i ngritur nga maturantë apo mësues, apo administratorë, apo prindër të mund të verifikohet dhe të shmanget çdo lloj abuzimi, të shmanget çdo lloj problematike që ne mund ta kemi patur vitet e kaluara.

Do të përzgjedhim pallatet e sportit në ato bashki, në ato qytete ku i kemi. Mund të jenë mjediset e universiteteve, sallat e mëdha, korridoret. Pra qëllimi është që të kemi sa më shumë maturantë në vende të hapura, në vende të mëdha, ku jo vetëm ne e monitorojmë më mirë procesin, por edhe vetë maturantët me njëri-tjetrin e monitorojnë.
Kështu që kjo është e para herë që po e deklarojmë këtë metodologji të re dhe në fund të diskutimeve tona dua të di edhe mendimin tuaj nëse jeni dakord. Ndoshta mësuesit këtu që janë më të vjetër dhe që kanë përvoja të mëparshme me provimet e maturës, mund të na japin gjykimin e tyre nëse ky vendim që ne kemi marrë është vendimi i duhur dhe rrit cilësinë procesit, rrit miradministrimin e procesit.

Ndërkohë që në lidhje me aspektin e tretë që thashë, vlerësimi i testit, këtë vit, tashmë e dini sepse ne e kemi deklaruar edhe më parë, kemi vendosur që në rregullore ta shfuqizojmë atë pikë që thotë “nuk lejohet rivlerësimi i testit”.

Kemi gjykuar që kjo është një e drejtë që çdo maturant duhet ta ketë. Nëse ka gabim në korrigjimin e testit është e drejtë absolute e maturantëve që testi të rivlerësohet dhe studenti të marrë, maturanti të marrë notën që meriton.
Këtu dua ta theksoj që rastet e gabimeve edhe në vitet e kaluara mund të kenë qenë shumë të rralla. Sepse vetë metodologjia e vlerësimit të testit është e tillë që testi korrigjohet në mënyrë të pavarur nga dy mësues të ndryshëm, dhe nëse ka mospërputhje nëse ka vlerësime të ndryshme për një pyetje, atëherë ngrihet një komision i tretë që e vlerëson dhe merret vendimi përfundimtar.

Mund të na ketë ndodhur shumë rrallë ndonjë rast kur ka patur ankimim nga maturanti dhe është vërtetuar që mund të ketë qenë një pikë më shumë, dy pikë më shumë, por pothuajse në të gjitha rastet ai ndryshim nuk ka qenë e tillë që të ndryshonte notën.
Ne kemi marrë vendimin që ta heqim nga rregullorja atë pikë. Kështu që do të jemi shumë të kujdesshëm edhe në përcaktimin e afateve, edhe të provimeve edhe të korrigjimit në mënyrë që maturantët të mund ta marrim diplomën në kohën e duhur.

Kemi vendosur që vlerësimi i parë, ankimimi të bëhet në shkollë, por ndoshta më pas Aurora do t’jua shpjegojë më mirë. Pra do të jetë shkolla ajo, mësuesit që nëse konstaton ose është korrigjuar gabim, pra ka një problematikë, do të jenë mësuesit dhe drejtoresha e shkollës që do ta zyrtarizojë këtë kërkesë, ankimimin që më pas do t’i dërgohet Qendrës së Shërbimeve Arsimore për të bërë rivlerësimin e testit.
Maturanti do ta marrë testin të korrigjuar dhe mësuesit e shkollës, dy mësues dhe drejtoresha, do ta vlerësojnë korrigjimin dhe nëse ata janë të bindur që ka problematikë korrigjimi, kuptohet do sjellin vendimin me firma, me vula nga shkolla në Qendrën e Shërbimeve Arsimore për të vijuar më tej me procesin e rivlerësimit.

Pse kemi për këtë? Sepse çdo maturant mund të kërkojë rivlerësim. Por për ne do të ishte e pamundur me kapacitetit që kemi që të rivlerësojmë të gjitha testet, sepse mund të jenë me mijëra maturantët që bëjnë kërkesë për rivlerësim.
Por nga ana tjetër dua ta theksoj dhe dua ta dini që tani që të gjithë ata që kërkojnë rivlerësim të testit, mund të ndodhë që të marrin edhe një vlerësim më të ulët pastaj.
Se siç mund të jetë bërë gabimi që i është vënë më pak se ç’meriton, mund të jetë bërë gabim që të jenë vënë më shumë pikë se sa meriton. Dhe nëse kërkohet rivlerësim, që do të vijë kërkesa nga shkolla me firmën dhe vulën e shkollës, nëse do të bëhet rivlerësim në fuqi do të mbetet notat pas rivlerësimit.
Kështu që prandaj kemi ngritur këtë mekanizëm në mënyrë që rivlerësimi të bëhet vetëm në ato raste kur të gjithë jemi 100% të bindur që aty vërtetë ka patur një gabim. Kështu që këto janë tre ndryshimet kryesore që ne propozojmë.

Pra e para, do heqim fletë-përgjigjen, për të mos i ngatërruar as nxënësit, as ata që bëjnë korrigjimet. E dyta, do t’i zhvillojmë provimet në salla të mëdha ku të gjithë janë atje të hapur të monitoruar, me kamera dhe ku të gjithë mësuesit dhe të gjithë nxënësit e shohin njëri-tjetrin.

Dhe në fund rivlerësimi. Natyrisht kjo është më shumë punë, më shumë sforco për ne, por ne jemi të gatshëm, jemi angazhuar që t’i marrim përsipër këto punë edhe këto kosto, vetëm për të mundësuar atë që e thashë që në fillim, meritokracinë. Për të patur një proces sa më të suksesshëm që i jep meritën çdo maturanti.

Është një proces nga i cili varet e ardhmja juaj. Është një moment shumë i rëndësishëm, një moment kritik për jetën tuaj. Prandaj ne duhet të bëjmë maksimumin. Ne jemi të gatshëm. Tani na thoni ju nëse jeni dakord dhe nëse keni sugjerime të tjera apo jo, sepse natyrisht që këto janë tre masa që ne kemi menduar si të nevojshme, por nëse ka edhe mënyra të tjera se si brenda mundësive që kemi sigurisht, brenda kushteve në të cilat ndodhemi, mund t’i zbatojmë, patjetër që ne jemi 100% të gatshëm që t’i marrim në konsideratë sugjerimet tuaja. Unë tani po ia kaloj fjalën drejtoreshës së Shërbimeve Arsimore, Aurora Balliu. Dhe pastaj jam shumë e hapur të dëgjoj maturantët por edhe mësuesit që kemi.

####