Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi priti sot në Elbasan Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me të cilën ndoqën një orë mësimore të Abetares së Përbashkët Unike në formatin digjital në një SmartLab të shkollës 9-vjeçare “Luigj Gurakuqi”.

Ministrja Kushi theksoi se Shqipëria dhe Kosova kanë shumë punë të përbashkëta në arsim, por krenaria më e madhe e përbashkët është pikërisht abetarja, e cila gjithmonë ka ardhur duke u përmirësuar, por pjesa digjitale është një risi.

Në një postim në rrjete sociale Ministrja Kushi ka falënderuar të gjithë mësuesit në Shqipëri e Kosovë që u mësojnë vogëlushëve gjuhën e bukur shqipe, plot përkujdesje dhe dashuri.

POSTIMI I PLOTË I MINISTRES KUSHI:

Sot prita në Elbasan miken time nga Kosova, Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Së bashku vizituam shkollën “Luigj Gurakuqi”, ku ndoqëm nga afër zhvillimin e një ore mësimore në klasën e parë, me Abetaren e Përbashkët Unike dhe duke përdorur përmbajtjen e saj digjitale.

Faleminderit mësuese Aidës dhe të gjithë mësuesve në Shqipëri dhe Kosovë, që u mësojnë vogëlushëve gjuhën tonë të bukur shqipe plot përkujdesje dhe dashuri.

 

https://fb.watch/jkifQG4Snd/?mibextid=qC1gEa